Kryetari i PDIU-së Shpëtim Idrizi, shtroi një darkë iftari me rastin e muajit të shenjtë të Ramazanit pikërisht në ditën që përkujton genocidin dhe terrorin grek kundër popullsisë shqiptare të Çamërisë.
Në çdo tavolinë ishte vendosur në shenjë simbolike emri i një vendbanimi çam, ku shqiptarët janë masakruar e vrarë vetëm për kombësinë e fenë, ndaj edhe mesazhi i Idrizit ishte për drejtësi.
Sofrës së iftarit iu bashkuan përfaqësues të Qeverisë, deputetë të forcave të ndryshme politike, ambasadorë e përfaqësues të trupit diplomatik, përfaqësues të jetës social-kulturore e besimtarë të thjeshtë. I ftuar ishte gjithashtu edhe Myftiu i Tiranës, Ylli Gurra, i cili lutjen e tij e shtriu për të gjithë shqiptarët.





