Federata Ndërkombëtare e Historisë dhe Statistikave në Futboll (IFFHS) ka shpallur Erling Haaland si lojtarin më të mirë në botë për vitin 2023.
Sulmuesi norvegjez, fitues i tripletës në sezonin e kaluar me Manchester City-n dhe autor i 50 golave në vitin kalendarik, grumbulloi 209 pikë.
Haaland la pas në renditje futbollistin e PSG, Kylian Mbappe me 105 pikë, ndërsa në vendin e tretë u rendit fituesi i Topit të Artë, Lionel Messi, që arriti kuotën e 85 pikëve. Në “top 5” janë edhe Rodri dhe Bellingham.
IFFHS krijoi çmimin për lojtarin më të mirë në botë në vitin 1988. Marco Van Basten (1988 dhe 1989) dhe Lothar Matthaus (1990) ishin 3 fituesit përpara se presidenti i FIFA-s, Sepp Blatter t’i kërkonte IFFHS-së t’ia linte këtë detyrë FIFA-s.
Që nga viti 2020, IFFHS ka vendosur të japë sërish këto çmime. Robert Lewandowski ishte fituesi i Çmimeve në vitet 2020 dhe 2021, ndërsa Lionel Messi triumfoi në 2022-shin.





