Përmes një postimi në faqen zyrtare në Facebook, Instituti i Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit ka paralajmëruar për zonat që rrezikohen me rritjen e temperaturave mbi 40 gradë celcius.

10 qarqe të vendit parashikohen me rrezikshmëri të lartë për rënien e zjarreve, ku në Durrës dhe Dibër rreziku do të jetë i moderuar.

IGJEUM parashikon se era që do të fryejë do të jetë tejet e nxehtë dhe e shoqëruar me rërë që e kanë prejardhjen nga Saharaja.

ZJARRET NË PYJE
Sot pasdite (e shtunë dt.31) dhe nesër (e diel dt.01) pritet nivel “I LARTË” rreziku në pothuajse të gjitha qarqet e vendit. Vetëm në qarqet Dibër dhe Durrës pritet nivel “I MODERUAR” rreziku (siç tregohet në tabelë, respektivisht për secilin qark). Në qarqet Dibër dhe Durrës pritet rrezik “I LARTË” vetëm në zona të lokalizuara, konkretisht: Dibër (perëndim) dhe Durrës (jug).
Rreziku pritet të jetë më i lartë ditën e nesërme.
RESHJET
Sot pasdite (e shtunë dt.31) dhe nesër (e diel dt.01) nuk priten reshje (siç tregohet në tabelë, respektivisht për secilin qark).
TEMPERATURAT
Nesër (e diel dt.01) temperaturat minimale dhe maksimale të ajrit pritet të arrijnë:
në bregdet: 23 / 36 °C
në vendet e ulëta: 20 / 41 °C
në vendet malore: 16 / 36 °C
Era
Sot pasdite (e shtunë dt.31) dhe nesër (e diel dt.01) era pritet të fryjë e lehtë deri në mesatare. Vala e të nxehtit gjatë ditëve në vijim, përveç temperaturave të larta, do të shoqërohet edhe me pluhur me origjinë nga shkretëtira e Saharasë.