28 maj 2015 – Deputeti i Partisë Demokratike për Durrësin, Igli Cara, gjatë fjalës së tij të mbajtur sot në seancën plenare në Kuvend, ka vijuar me akuzat kundrejt kryebashkiakut aktual Vangjush Dakos, që sipas demokratëve Dako po blen vota duke u nisur nga fakti se muajt e fundit në qytetin e Durrësit janë shtuar 2300 votues të rinj, me kontrata banimi të firmosura nga drejtori i komunales së Dakos.
“Tashmë vetëm 3 javë na ndajnë nga zgjedhjet për pushtetin lokal dhe duket që socialistë e LSI- stë bashkë janë trazuar dhe duket që nuk do lënë gurë e mjet pa përdorur.
Në disa qarqe të vendit, ku për shkak të figurave të konsumuara që garojnë, siç është dhe rasti i Vangjush Dakos në Durrës, por dhe i aferave dhe parave të ndërtimit e betonit në mes, lufta politike është më e egër dhe mjetet e përdorura janë gjithëfarësoj që në nisje, duke filluar nga presionet e deri te pashaportizimet për votim në Durrës.
Në muajin e fundit, ka një shtesë prej 2300 votuesish në Durrës, me kontrata banimi të firmosura nga drejtori i komunales së Dakos, ku në një apartament 1+1 banojnë 4 familje, në nje dhome 15 m2 – 12 persona apo në një garazh makine 24 persona”, u shpreh Cara.
Sipas deputetit nga Durrësi, e njëjta situatë paraqitet edhe në qytetin e Kavajës, dhe për këto krime elektorale pret që t’i japë zgjidhje prokuroria, pasi në të kundërt nuk do të ketë zgjedhje të ndershme.
“Një gjë është e sigurt, mënyra si keni qeverisur dhe mënyra si erdhët në pushtet në 2013 ju tremb e ju komplekson, e zullumet që keni nisur me zgjedhjet veç do t’i trashni siç po bëni dhe me kartat e identitetit (të prodhuara nga ju), do bëni dhe me blerjen e votës, dhe druaj që nuk do mbetet me kaq.
Të qenurit “mjeshtra” në pisllëqe e në abuzimin me votën besoj nuk ju lehtëson ndërgjegjen e nuk ju shfajëson para fëmijëve tuaj, që tek gëzojnë frytet e pushtetit tuaj, besoj e shpresoj që duan një Shqipëri më të mirë, një qytet më të mirë e drejtues lokalë që frymëzojnë me modelin e tyre dhe që premtojnë në ndërtimin e një jete më të mirë dhe këto nuk vijnë e nuk mund të vijnë nga blerja dhe manipulimi i votës së lirë!”, tha deputeti Cara.
/S.L. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/