Ish-kandidati për deputet në zgjedhjet e 25 prillit, Igli Cara ka dalë me një propozim konkret për bashkimin e PD-së. Forca më e madhe opozitare, pas dorëheqjes së Lulzim Bashës vazhdon të jetë e përçarë dhe kjo duket mjaft qartë edhe në qëndrimet dhe reagimet e grupit parlamentar në Kuvend.

Për Carën, bashkimi i PD duhet të nisë nga grupi parlamentar. Duke marrë në konsideratë faktin se anëtarët e grupit janë individë të zgjedhur me votën e demokratëve dhe njerëz me integritet, Cara e kërkon pikërisht prej tyre hedhjen e hapit të parë për bashkimin e të gjithë faktorëve brenda PD-së.

“Grupi parlamentar mund të bëjë një akt bashkimi, të bëjë një mbledhje të përbashkët, të zgjedhë organet drejtuese të grupit. Ata janë njerëz intelektualë, të votuar, me integritet dhe nëse nuk do ta bëjnë këtë hap do të tregojnë se mungon vullneti politik. Në këto momente qytetarët po vuajnë dhe të paktën të kenë një grup opozitar të vërtetë, të paktën të jenë bashkë përballë Ramës”,- deklaroi Cara mbrëmjen e së enjtes në emisionin “Të vaksinuarit”, në Fax News.

Për ish-deputetin, në këto ditë kur më shumë se kurrë brenda PD dëgjohet shumë shpesh fjala bashkim, të gjitha palët duhet të tregojnë vullnet për ta realizuar konkretisht atë, sepse në të kundërt, një PD e përçarë nuk i shërben vendit, por kryeministrit Rama.

“Unë i ftoj të gjithë deputetët ta bëjnë se e kanë detyrim, mbi të gjitha moral dhe jo partiak. Nëse ata nuk tregojnë vullnet për ta bërë këtë gjë, e gjithë gjëja tjetër është false dhe është shërbim ndaj Ramës”,- deklaroi Cara.

Sot, Gjykata Civile e Tiranës ka njohur Kuvendin e 11 dhjetorit të thirrur nga ish-kryeministri Sali Berishës.

Me njohjen e këtij vendimi, janë shkarkuar strukturat drejtuese të PD-së, siç edhe u kaluan më votë dhe u miratuan gjatë Kuvendit të 11 dhjetorit.

Pasi Gjykata e Tiranës njohu sot statutin e 11 dhjetorit, të thirrur nga ish-kryeministri Sali Berisha, Komisioni i Rithemelimit vendosi që të shkojë drejt selisë së PD-së. Vendimi erdhi pas mbledhjes që grupi i rithemelimit bëri pak çaste më par5 në zyrat pranë RTSH-së.

Disa prej anëtarëve të këtij komisioni, Edmond Spaho, Belind Këlliçi, Flamur Noka, Albana Vokshi, Ivi Kaso, iu drejtuan selisë.