Biznesi po kalon ditë të vështira, e për këtë, kontribut të veçantë ka dora vetë kryeministri i Shqipërisë, që inspirimin, biznesit ia ka zëvendësuar me represionin, lehtësitë, e incentivat ia ka zëvendësuar me gjobat, ndëshkimin e deri në burgosjen.
Kështu është shprehur deputeti i qarkut të Durrësit, Igli Cara, gjatë seancës së djeshme plenare. Sipas deputetit demokrat, sot është momenti për t’i kujtuar qeverisë dhe ministrit Cani që kanë shumë pa bërë e shumë premtime të dhëna të pambajtura, e më konkretisht ai ndalet:
“• Le të nisim me një premtim të vitit 2014 për heqjen e referencave doganore për një pjesë të mallrave të importit. Dikush mund të na thotë që nuk është kjo arsyeja kryesore e rënies së ekonomisë, dakord jam, po gjërat që shkojnë kundër biznesit janë plot të tjera.
• Taksa fikse e transportit me Italinë, 6 deri në 9 Euro për ton, rrit kostot dhe drejtpërdrejti bën që ose transporti të bëhet me kompani të tjera të vendeve fqinje ose kompanitë tona të transportit të detyrohen të vendosin targa maqedonase;
• Tarifa e skanimit për çdo deklaratë importi, ka raste që shkon deri në 350 euro për një mjet, shto faktin që për mallrat që vijnë me traget për shkak të një urdhri u bëhet peshimi për çdo mjet, e kjo jo vetëm rrit artificialisht kostot, por kthehet dhe në një praktikë që thellon mosbesimin dhe prish klimën e biznesit teksa i vendos rregulla që asnjë vend europian s’i ka;• Shumë prej qytetarëve ndoshta nuk e dinë që Shqipëria është sot vendi i 14 në botë për shtrenjtësinë e naftës dhe nënprodukteve të saj, shto faktin që në rajon çmimet janë më të ulëta, vendet e BE i kanë nga 5-15 % më të ulëta, e kjo zbraz jo vetëm xhepat e shqiptarëve por bën jo konkurrues biznesin, rrit kostot e distribucionit e prodhimit, e këto si derivat i drejtpërdrejtë i korrupsionit qeveritar.
• Këtyre kostove plus, i shtohet dhe qershia mbi tortë, tatimi mbi fitimin që kjo qeveri e rriti me 50%…….”, tha Cara.
Sipas deputetit, papunësia është rritur dhe çmimet po ashtu, duke iu referuar statistikave të INSTAT-it dhe Bankës Botërore, ku kjo e fundit ndan të njëjtin shqetësim me opozitën për shëndetin e ekonomisë shqiptare.
“Dua të sjell në vëmendjen tuaj sugjerimin kryesor të FMN, arritjen e konsolidimit fiskal dhe uljen e borxhit publik deri në 66 % të PBB-së në vitin 2017 dhe nën 64% në vitin 2018 nga 72.6% që është aktualisht. Dështoi Edi Rama me Crown Agency që i mori jo pak, po 13.5 milionë euro për dy vjet shqiptarëve, dështoi Edi Rama me planin e të ardhurave, dështoi para Bankës Botërore e FMN-së, dështoi dhe për fat të keq konfirmoi opozitën për paaftësinë, por mbi të gjitha për kontrabandën e klaneve të pushtetit të së majtës.
Klientët e mëdhenj të qeverisë, sponsorizuesit e fushatave elektorale të së majtës, po marrin mbrapsht haraçin e tyre, prandaj “hyn” naftë 10 mijë tonë më pak e cigarja 600 tonë më pak, prandaj nafta qëndron në ato çmime që dhe arka e shtetit dhe xhepat e shqiptarëve veç zbrazen ditë pas dite”, deklaroi Cara.
“Po shqiptarët duhet ta dinë që ku ka zë nuk është pa gjë në Shqipëri, lajmet thonë që pritet të jepet rruga e kombit me koncension, shërbimi i pajisjes me targa chip, ku çdo targë do kushtojë 48 euro, vazhdojmë më tej me PPP-në për mbledhjen e TVSH-së e një zot e di ku do ndalet.
Qeveria e ministrat e saj, duket që punë të parë kanë të mendojnë e realizojnë koncensionet, kjo që po ndodh nuk është më abuzim por reprezalja mbi ekonominë e pasurinë kombëtare të shqiptarëve. Qeveria, kjo e Ramës dhe e Metës, kanë vendos t’i vënë flakën këtij vendi, ata po rrëmojnë e po shkatërrojnë çdo ditë themelet e shtëpisë së shqiptarëve, po i lamë dhe ca çatia do bjerë e do na zërë të gjithëve brenda.
Rama e Meta, po përdorin forcën e kartonëve për të ratifikuar kontratat e koncensioneve, druaj po nuk gaboj tek mendoj që ndërsa humbjen e pushtetit politik se kanë të largët, ata kanë mbërthyer si oktapod ekonominë shqiptare.”
Në përfundim të fjalës së tij, Cara u bëri thirrje qytetarëve për të ndalur dyshen Rama – Meta në rrënimin e Shqipërisë, pasi ka ardhur momenti, për t’i treguar dyshes më të keqe të këtyre 25 viteve, që pasuritë kombëtare janë të shqiptarëve dhe të brezave që vijnë.





