DURRËS, 23 qershor 2013 – Kandidati demokrat Igli Cara, njëkohësisht edhe kryetari i degës së Partisë Demokratike në Durrës, teksa ka votuar rreth orës 16:05 pranë qendrës së votimit në shkollën 9-vjeçare “Bedrie Bebeziqi”, ka bërë të ditur se, deri në atë moment, niveli i pjesëmarrjes në votime në Durrës është rreth 30 për qind”.
Fill pas votimit, z. Igli Cara u ka bërë thirrje qytetarëve se detyra e tyre më e rëndësishme sot është të shkojnë të votojnë, pasi “këto dy orë janë shumë të rëndësishme për të ardhmen e vendit”.
Ndërkohë kryedemokrati i qyteti bregdetar ka denoncuar edhe raste të tentativave për blerje votash nga kryebashkiaku Vangjush Dako, njofton për agjencinë e lajmeve “Dyrrah” zëdhënësi i fushatës Naim Hoti.
Kandidati Igli Cara, duke deklaruar votën e tij për numrin 44, ka ftuar qytetarët që “të ushtrojnë të drejtën e votës, për të zgjedhur qeverinë e mandatit të ardhshëm.”
Kreu i selisë lokale blu tha se në shtabin e tij elektoral kanë ardhur sinjalizime nga qytetarë të ndryshëm, që akuzojnë kryebashkiakun e Durrësit Vangjush Dako se ka tentuar t’u blejë votën.
Madje, një qytetar, sipas Carës, ka njoftuar PD-në se ka bërë kallëzim penal në prokurori ndaj qytetarit nr. 1 të Durrësit.
/Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





