Përmes një postimi në rrjete sociale, Igli Cara ka konfirmuar se do të jetë sot pjesëmarrës në foltoren që do të mbajë ish-kryeministri Sali Berisha në orën 18:00 në Pallatin e Kulturës në Durrës.
Cara shkruan se mirëpret çdo foltore që forcon PD-në, demokracinë e brendshme dhe bashkon demokratët.
Ai argumenton në statusin e tij se, kjo foltore nuk synon kthimin e Berishës, por të legjitimitetit të bazës së PD-së dhe ky është një borxh që ish-kryeministri ia ka demokratëve, sipas tij.
“Mirëpres çdo foltore, që forcon PD-në, demokracinë e brendshme dhe bashkon demokratët.
Prej ditësh, anëtarësia e Partisë Demokratike është përfshirë në një debat të ashpër, që shumëkush përpiqet ta përkufizojë si sherri “Berisha – Basha “.
Në gjykimin tim, ky debat ka të bëjë me përballjen me të vërtetën, me demokracinë e brendshme, me sistemin e vlerave e të karrierës, me të sotmen dhe të ardhmen, jo vetëm të Partisë Demokratike, por dhe të sistemit politik në Shqipëri.
Vlera më e madhe e një partie janë anëtarët e saj.
Çështja më e rëndësishme sot është: “- A do të kthehet pushteti tek ata ?”
Demokratët e Durrësit do të mirëpresin “Foltoren e Berishës”, një proçes shumë i vonuar, por më mirë vonë se kurrë!
Në mendimin tim, foltorja nuk synon kthimin e Berishës , por rikthimin e legjitimitetit të bazës së PD-së dhe ky është një borxh që Berisha ia ka demokratëve.
Për të gjithë, miqtë e mi demokratë, që më pyesin nëse do të jem sot ne “Foltoren e Durrësit”, përgjigjja është PO!
Do të jem aty për të gjithë demokratët, fuqizimin e tyre dhe kthimin e PD-së në altenativë qeverisëse!”, shkruan Cara.
Krahas statusit, më herët Cara ka publikuar edhe një foto të shkrepur në janar 2013, në një takim masiv të mbajtur në pallatin e sportit të qytetit të Durrësit, kohë kur u anëtarësuan rreth 4000 demokratë të rinj durrsakë në Partinë Demokratike dhe të gjithë ishin nën moshën 30 vjeç.