26 dhjetori shënon ditën e themelimit të Partisë Demokratike në Durrës, 31 vite më parë.
Ish-deputeti i qytetit bregdetar, Igli Cara ka kujtuar këtë datë me një postim të gjatë në rrjetin social “Facebook”, ku ndër të tjera thekson se “është nder të rikujtojmë me mirënjohje nismëtarët: Minush Jero, Vaso Llapa, Bardhyl Baltëza, Artan Hoxha, Fatmir Beluli, Shyqyri Cara, Bersant Duçkollari, Shkëlqim Shtylla, Hektor Gjiri, Halil Myrto, Krenar Koci, Dashamir Myftiu, Bahri Hoxha, … dhe shumë e shumë të tjerë, që në ato ditë dimri, të fundit të 90-ës u bënë pjesë e forcës politike, që shumë shpejt do të shndërrohej në shpresë për shqiptarët.”
Cara nuk la pa shigjetuar edhe situatën aktuale në të cilën gjendet forca opozitare.
“Eshtë detyrim i demokratëve të vërtetë dhe të mençur, të zgjidhin dhe problemet e brendshme të kohëve të fundit, për ta rikthyer PD si forcë qeverisëse dhe në të njëjtën kohë edhe besimin e shpresën te të gjithë, që ky vend behet…!”, shkruan Cara.
Postimi i plotë:
26 dhjetor!
Shpresoj e besoj, se të gjithë demokratët e Durrësit duhet ta kujtojnë këtë datë, që shënon themelimin e Partisë Demokratike në qytetin tonë, 31 vite më parë.
Koha që kalon, për më tepër pas 8 viteve në opozitë, për dialektikë duhet t’i zbehë përvjetorët e një force politike, por ky rregull nuk mund dhe nuk duhet të vlejë për Partinë Demokratike, që lindi si shprehje e revoltës ndaj regjimit komunist, mungesës së lirive themelore të njeriut, dhunës e terrorit dhe që lajtmotiv të saj pati dhe ka lirinë e demokracinë.
Është nder të rikujtojmë me mirënjohje nismëtarët:
Minush Jero, Vaso Llapa, Bardhyl Baltëza, Artan Hoxha, Fatmir Beluli, Shyqyri Cara, Bersant Duçkollari, Shkëlqim Shtylla, Hektor Gjiri, Halil Myrto, Krenar Koci, Dashamir Myftiu, Bahri Hoxha, … dhe shumë e shumë të tjerë, që në ato ditë dimri, të fundit të 90-ës u bënë pjesë e forcës politike, që shumë shpejt do të shndërrohej në shpresë për shqiptarët.
Në këto 31 vite të vështira, të shoqëruara me krenari, sukses, sfida, por edhe zhgënjim, Partia Demokratike duhet të mbetet shpresë për të ardhmen, për të gjithë! Misioni nuk ka mbaruar! Eshtë detyrim i demokratëve të vërtetë dhe të mençur, të zgjidhin dhe problemet e brendshme të kohëve të fundit, për ta rikthyer PD si forcë qeverisëse dhe në të njëjtën kohë edhe besimin e shpresën te të gjithë, që ky vend behet…!