Kreu i degës lokale Durrës të PD, Igli Cara nëpërmjet një postimi në “Facebook” ka reaguar për shtyrjen e proçesit statistikor që do të përcaktonte zyrtarisht numrin aktual të popullsisë në vendin tonë.
Cara thotë se “me ose pa census, Shqipëria po shpopullohet” dhe se “dëshmia më e fundit vjen nga fusha e arsimit”.
Ai ka treguar se “numri i nxënësve të regjistruar në shkollat e mesme të Durrësit për këtë vit shkollor kanë rënë në mënyrë dramatike”.
Postimi i plotë:
Proçesi më i rëndësishëm statistikor që do të përcaktonte zyrtarisht numrin aktual të popullsisë në vendin tonë është shtyrë, jo më larg se sot, pa afat.
Përtej përpjekjeve mjerane të qeverisë për të fshehur të vërtetën qëndrojnë faktet.
Me ose pa census, Shqipëria po shpopullohet!
Strategjia e zbatuar me përpikmëri nga kjo qeveri që në start po jep frytet e veta.
Shqipëria po shkon me një ritëm marramendës drejt plakjes.
Një efekt domino që prek çdo sektor. Dëshmia më e fundit vjen nga fusha e arsimit.
Numri i nxënësve të regjistruar në shkollat e mesme të Durrësit për këtë vit shkollor kanë rënë në mënyrë dramatike. Deri në 50% më pak të rinj që do të vijojnë cikiln e studimeve, ndërkohë që bashkëmoshatarët e tyre janë larguar përfundimisht nga vendi.
Ikja masive e tyre, që përfaqësojnë në të njëjtën kohë edhe vetë fuqinë punëtore godet në mënyrë të drejtpërdrejtë ekonominë, duke krijuar një hendek të thellë edhe në skemën e pensioneve.
Nuk ka Census që mund ta fshehë shpopullimin e Shqipërisë as sot, as mot!