DURRES, 16 qershor 2013 – Kandidati demokrat zhvilloi takime në mjediset e Qendrës Komunitare “Sot për të Ardhmen” dhe në lagjen 12 të Durrësit, ku theksoi se prioriteti i mandatit të ardhshëm do të jetë punësimi i të rinjve

Takimet e radhës të kandidatit demokrat Igli Cara kanë vijuar në zonën e ish-Kënetës, ku fillimisht është ndalur në mjediset e Qendrës Komunitare “Sot për të Ardhmen” e më pas në disa prej legjeve të brendshme të zonës.

Pranë qendrës komunitare, e cila prej 12 vitesh merr nën kujdesin e saj njerëz që përballen me probleme të ndryshme, kandidati Igli Cara u ndal veçanërisht në çështjen e punësimit të të rinjve. Sipas tij, “edhe mandati i tretë qeverisës i Partisë Demokratike do të ketë në fokus hapjen e vendeve të reja të punës në sajë të politikave favorizuese për biznesin.”

“Ne kemi marrë disa masa për të nxitur investimet dhe biznesin, masa këto që kanë dhënë efekt, – tha Igli Cara. – Taksa e sheshtë prej 10 përqind, ulja e kontributeve sociale si për biznesin, ashtu edhe për të punësuarit, heqja e TVSH për importin e makinerive prodhuese, financimi i projekteve të agrobiznesit, etj., kanë sjellë rezultate. Ekonomia është rritur në mënyrë progresive dhe ne e mbajtëm fjalën për hapjen e 160 mijë vendeve të punës. Mandatin e ardhshëm ne do të vazhdojmë në të njëjtën rrugë, dhe do të hapim edhe 250 mijë vende të reja pune. Masat e marra kanë sjellë në vend investime të huaja strategjike, siç janë projektet për ndërtimin e hidrocentraleve dhe gazsjellësi TAP. Këto do të krijojnë mijëra vende pune. Ndërkohë, duke e mbajtur të pandryshuar taksën e sheshtë prej 10 përqind, dhe duke shtuar masa të tjera, si ulja e TVSH për shërbimet turistike, rimbursimi i TVSH për makineritë bujqësore, financimi i kontributeve sociale për tre vitet e para të punës për çdo të ri që do të punësohet, kreditimi i iniciativave të biznesit të të rinjve, etj., do të nxisin edhe më tej zhvillimin e ekonomisë, dhe kjo do të bëjë realitet premtimin për vendet e reja, veçanërisht për të rinjtë, që do të jenë prioriteti ynë.”

Igli Cara është ndalur edhe në çështjen e arsimit të të rinjve, kryesisht në arsimin profesional, ku nuk ka nguruar të akuzojë edhe Partinë Socialiste dhe kreun e saj Rama se duan të ndalojnë ambicjet e të rinjve për t’u arsimuar.

Në takimin tjetër të zhvilluar në zonën e ish-Kënetës, kandidati për për deputet dhe njëherazi edhe kryetari i degës së Partisë Demokratike në Durrës, ka biseduar me banorët për çështje të tjera, si legalizmi dhe urbanizimi i zonës, shtrimi i rrugëve të brendshme, sistemimi i kanalizimeve, etj.

Igli Cara u tha të pranishmëve se “çdokush që do të aplikojë për të marrë një çertifikatë pronësie, do ta ketë në dorë atë brenda këtij viti.”

Më tej, Igli Cara është ndalur në lagjen 12 të qytetit, nga ku ka akuzuar ashpër kryesocialistin Rama se mashtron me argumentin e tij të uljeve të taksave.

Sipas Carës, “Rama jo vetëm që nuk do të ulë taksën për bizneset, por përkundrazi, synon ta rrisë atë.” “Rama nuk ka për të ulur taksat, – tha Igli Cara. – Premtimi i tij është vetëm një mashtrim. Ai ka qenë kryetar i Bashkisë së Tiranës dhe, në vend që të ulte taksat, i rriti ato. Të njëjtën gjë bëjnë edhe kryetarët e majtë të bashkive të tjera, përfshi edhe Dakon. Në Durrës, një biznes paguan më taksa më të larta se sa paguan një biznes në Tiranë. Pastaj, nga njëra anë ai thotë se do të ulë taksat, ndërsa nga ana tjetër thotë se do të vendosë taksën progresive. Rama thjesht mashtron, sepse taksa progresive do të thotë taksa më të larta për të gjithë.”

Duke folur për infrastrukturën urbane në brendësi të lagjeve, të lënë në harresë nga Bashkia, Igli Cara tha se: 

“Bashkia e Durrësit ka shpërdoruar fondet që qeveria i ka akorduar pikërisht për të rregulluar rrugët e qytetit.” “Çdo vit, qeveria i ka akorduar Bashkisë së Durrësit rreth 4 milionë dollarëve në formë granti të pakushtëzuar, – tha kandidati demokrat. – Por, këto fonde, në vend që të shkojnë për investime në rrugë, shkolla dhe shërbime të tjera publike për durrsakët, përfundojnë në xhepat e militantëve socialistë me të cilët kryebashkiaku ka shtuar administratën e Bashkisë.”

Duke premtuar se ky problem do të gjejë zgjidhje dhe rrugët e qytetit nuk do të jenë më në këtë gjendje, Igli Cara tha se “grantet për Bashkinë e Durrësit nuk do të jenë më pa kusht, por do të financohen projekte të cilat realisht rrisin mirëqenin dhe cilësinë e jetës së qytetarëve.”