17 shkurt 2015 –  Igli Tare ishte i ftuari spiacial i Koha Televizion në Kosovë, ku rrefeu të gjithë karrierën e tij si futbollist, por edhe emocionet e punës si Drejtor Sportiv i Lazios në Serinë A. 41-vjeçari e ndan me të gjithë shqiptarët suksesin që ka arritur si drejtuesi i një klubi shumë të rëndësishëm të futbollit italian.

"Nuk e prisja që do të më jepej besimi nga presidenti Lotitto për të drejtuar një klub kaq të madh. Fakti që jam akoma pjesë e këtij klubi më jep shumë krenari. Këtë krenari do ta ndaja me të gjithë shqiptarët kudo që janë".

Ish-sulmuesi kuqezi ruan kujtime të veçanta me fanellën e kombëtares, por sigurisht goli më i rëndësishëm për të është finalizimi në humbjen 4-3 me Gjermaninë në sfidën e luajtur në Hanover.

"Çdo gol ka rëndësinë e tij. Goli me Gjermaninë në humbjen 4-3 në Hanover ka qenë ndër më të bukurit dhe më të vështirët që kam realizuar".Fakti që pas 7 vitesh Tare vazhdon të jetë Drejtori Sportiv i Lazios, do të thotë se është i suksesshëm në këtë detyrë të vështirë. Transferimi i Miroslav Kloses nga Bayerni te Lazio me parametër zero është marrëveshja më e rëndëisishme, ndërsa pengu më i madh dështimi për të marrë Keisuke Hondan.

"Për sa i përket imazhit, marrëveshja me Klosen ka qenë më e rëndësishme, ndërsa më e vështira ajo me Hernanes, pasi më janë dashur 7 ditë për ta mbyllur. Ndërsa transferta më e rëndësishme e parealizuar është ajo e Keisuke Hondas. Ishim shumë pranë firmës, por në momentin e fundit gjithçka u prish".

I pyetur për opinionin që ka për përfaqësuesen e Kosovës, Tare u shpreh se dëshira e tij është të shohë vetëm një kombëtare mbarëshqiptare.

"Ne jemi një komb, ne kemi një kombëtare dhe kjo është Shqipëria. E kam të vështirë ta shoh një kombëtare tjetër shqiptare me ngjyra të tjera".

Përsa i përket ecurisë së deritanishme të Kombëtares Shqiptare në eliminatoret e Europianit, Tare foli me nota pozitive dhe me besimin se Gjykata e Arbitrazhit Sportiv në Lozanë do t'i japë tri pikë.

"Çfarë ka arritur deri tani Shqipëria në eliminatore është pozitive, sidomos në këtë edicion kualifikues. Jam shumë optimist dhe besoj se KAS-i në Lozanë do të na japë tri pikët. Nëse kjo ndodh dhe nëse fitojmë edhe me Armeninë atëherë do të shkojmë në play-off dhe besoj se do të kemi shanse të mira për të shkuar në Francë".