Gjuetia e Milanit për një drejtor sportiv vazhdon dhe i preferuari, sipas zërave të fundit nga Italia, është Igli Tare. Pasi braktisi rrugën që mund të çonte te Fabio Paratiçi, klubi kuqezi nxitoi menjëherë për të gjetur një profil tjetër. Në listë ka disa emra, që në të vërtetë janë thuajse gjithmonë të njëjtët që kanë qarkulluar javët e fundit. Megjithatë, ditët e fundit ka pasur një filtrim mjaft të qartë që ka sjellë dy emra, të mbështetur nga dy rrymat brenda klubit. Nga njëra anë Xhorxho Furlani, i cili do të donte Tony D’Amikon e nga ana tjetër Zlatan Ibrahimoviç dhe Xherri Kardinale që bëjnë presion për ish-drejtuesin e Lacios, i cili ka qenë gjithmonë zgjedhja e tyre e parë.
Lajmi i fundit për këtë çështje është raportuar dje në mbrëmje nga “Corriere dello Sport”, që thekson se ai është favorit për t’u bërë drejtori i ri sportiv i Milanit. Para së gjithash, edhe vetë shqiptari mezi do të priste të provonte veten në një kontekst si ai i klubit milanez. Për më tepër, do të ishte më i lehtë për t’u punësuar sepse nuk ka lidhje me klubet të tjera dhe Milani mund të negocionte direkt me të, ndryshe nga D’Amiko që është peng i kontratës me familjen Perkasi që zotëron Atalantë.
Igli Tare, në fakt, ishte kërkuar tashmë nga Milani në vitin 2019, kur u kontaktua nga Paolo Maldini dora vetë. Në atë kohë, megjithatë, ai ishte ende i lidhur me Lacion dhe operacioni për ta veshur kuqezi si drejtor nuk u realizua me sukses. Po, në rast se do të mbërrinte te “djalli”, cili do të ishte konfigurimi i bordit drejtues? Paolo Skaroni pa dyshim do të mbetet president, me Xhorxho Furlanin që do të ishte ende administrator. Xhefri Monkada do t’i rikthehet zbulimit të talenteve, ndërsa Zlatan Ibrahimoviç, i cili nuk figuron në organikë, do të mbetej ende krahu i djathtë i Xherri Kardinales. E gjithë kjo, megjithatë, në kontakt të ngushtë me drejtorin sportiv.