Igli Tare është vlerësuar në galanë e futbollit italian me  çmimin “Drejtori më i Mirë Sportiv” për sezonin e kaluar.

Ish-sulmuesi i kombëtares u shfaq i lumtur për këtë vlerësim nga“Gran Gala del Calcio”, ndërsa foli për punën tek Lazio duke theksuar se nuk e mendon një rikthim te bardhekaltërit.

“Nuk mendoj se rezultatet e Lazios kanë lidhje me largimin tim. Vitin e kaluar e merituam vendin e dytë. Por, nuk erdhi si një e papritur pasi për ato rezultate ishte punuar shumë nga drejtuesit dhe trajnerët. Unë i uroj Lazios që të ketë një të ardhme edhe më të ndritur. Kam dëgjuar që flitet për rikthimin te Lazio, por unë nuk i besoj rikthimeve. Rrugët janë të ndara dhe klubi ka bërë zgjedhje të tjera. Nuk do të kthehem aty në të ardhmen e afërt”, tha Tare.

I pyetur se ku e shikon të ardhmen, ndërkombëtar shqiptar deklaroi se është gati për një projekt ambicioz.

“Dua një projekt që të më intrigojë, nuk kam një klub të preferuar. Kam fatin që flas shumë gjuhë dhe nuk është problem liga”, u shpreh Tare, i cili mohoi të ketë patur kontakte nga Napoli.