Nga Edison Ypi
5 dhjetor 2015 – Kurvi ka 30 vjet që ka cof, Kurvizmi është në zenit.
Mozaiku kriminal ta mpin trurin, t'i ngathtëson gjymtyrët, të mposht, të zgërlaq. Nuk jetohet në këtë vend me këtë shesh e këtë simbol diabolik. Ik nga kurvizmi. Ik e mos u kthe më kurrën e kurrës.
Në bulevard t'i trazon zorrët varri i kurvit. Është vepër arkitektonike, brezat e ardhshëm duhet të dinë çfarë ka ndodhur, janë rrena trashanike për të mos e lënë miletin t'i largohet kurvizmit. Ik nga sytë këmbët. Si zhapik duke u zvarritur. Si kunadhe duke u fshehur. Si gjarpër duke u përdredhur. Vetëm ik.
Në të dy anët e bulevardit, rrugët dhe rrugicat mbajnë emra vrasësish. Po nuk ike nga këto rrugë me ato emra do çmendesh dhe nuk do ketë psikiatër ta kuptojë sëmundjen.
Sheshi tek Pazari i ri që mban emrin e një halabaku vrasës komunist parakurvist të ulëret; Ik-ik-ik, vetëm ik dhe kurrë mos u kthe.
T hedhësh një sy gazetave balli të mbushet me djersë, nëpër trup të kalojnë mornica; Krim në familje. Deputetë vrasës. Aleanca parlamentare që s'kanë asnjë lidhje me preferencat e elektoratit. Sajesa, shpifje, intriga kurviste. Leri gazetat, kafen, ujin e gazuar. Mos humb kohë. Ik.
Në shkallët e shtëpisë, ti duke u ngjitur, ai duke zbritur, të vështron vëngër një sigurimist. Një kat më lart banon një ish-komandant burgu të cilit po t'i thuash se Sigurimi ishte kriminal, të vret. Në shtëpi ndez kompjuterin për të hyrë, e ku tjetër veçse në Fejsbuk, ku sheh tmerre dhe turpe që kapërcejnë çdo përfytyrim. Femra gjoja konservative por në fakt copa mishi në kërkim të burrit duke fotografuar veten nga një mijë kënde. Burra-lavire pa asnjë zotësi dhe asnjë talent të cilët në perëndim i ka hedhur sigurimi, burracakë të pështirë që sa më larg të ndodhen aq më trima hiqen, mendimtare me vështrimin prej gjeniu tretur në horizont me t'i sjellë zorrët në fyt. Hiç mos vill. Hiç mos u mërzit. Ik e mos u duk.
Në mbrëmje sheh programe televizive të kushtueshme që paguhen nga taksapaguesit dhe konsumatorët, por udhëhiqen nga ca gjobëvënës, të cilët, të ftuarve, në këmbim të ftesës, u kërkojnë favore. Ke plotësisht të drejtë të mos i shohësh. Nuk durohen. Ik nga kokën këmbët.
Pasi u ke hedhur nga një sy banakëve televizivë të hajdutëve që kanë vjedhur gazeta dhe humbin në bixhoz çdo ditë aq Euro sa janë të ardhurat vjetore të një komune, mbështillesh me batanije, merr në dorë telekomandën dhe kërkon ndonjë film shqiptar. Gabim i pafalshëm kurvist. Në Shqipëri nuk është bërë asnjë film. Të gjithë kanë qenë propagandë. Prandaj, duke u përplasur a duke u rrokullisur, barkaz, me kurriz, duke thyer brinjë e duke u gjakosur, vetëm ik.
Njëlloj si në qytete dhe në katunde, kurvistat kanë bërë vilat më të mëdha. Kalamajtë i kanë çuar me studime jashtë nëpër universitete të shtrenjta. Vetë mbajnë postet kyçe të rendit, të drejtësisë, të gjithave. Prandaj ik, ik, ik, ik, ik dhe vetëm ik dhe kokën prapa mos e kthe.
E njëjta gjë në Kosovë ku ligjin e bëjnë "çlirimtarët" hajdutë dhe vrasës. Mos e zgjat asnjë dekikë. Ik nga Kosova. Më këmbë, me vrap, me autobus, me furgon. Bjeri nga të mundesh; nga Serbia, nga Hungaria, Japonia, Kina, Indonezia, Alaska, vetëm ik.
Ik edhe nga Maqedonia perëndimore. As atje s'ke ç'bën mes patriotëve të llafeve.
E ç'ju duhen Lugina e Vjosës, Korabi, Cukali, Karavastaja, Tomorri, Devolli, Naimi, Noli, Lasgushi, Kadarea.
Ikni o budallenj, ikni. Ikni këmbejini kaltërsitë e Llogorasë me tymrat e Birminghamit, diellin e Myzeqesë me ngricat e Stokholmit, freskun e Thethit me qelbësirën e të dhjerave dhe të vjellave të haleve që do pastroni.
Ikni qafën thefshi.
Gjermaninë ku ma gjen.
Ikni edhe në Etiopi, në Nepal, në Indonezi, në Madagaskar, ikni ku të mundni. Vetëm në Shqipëri mos rrini. Vetëm në Shqipëri kurrë mos u ktheni.
Ikni shqiptarë ikni. Ikni nga kurvizmi.
Ikni sa më parë, sa më larg, sa më tepër, mundësisht të gjithë.
Hiç mos u sëkëlldisni se shqiptarët pakësohen dhe Shqipëria zvogëlohet. Shqipëria nuk ka qenë kurrë më e vogël se e ka merituar. Shqiptarët nuk kanë qenë kurrë më pak se kanë mundur të jenë.
Mos u merakosni se pasi të ikni ju, do vijnë t'ua pushtojnë vatrat e ngrohta, shtëpitë e gjalla, tokat e begata. Ku kurvizmin e kultivuat vetë me aq zell e pasion sa tashmë kurvizmi ka infektuar gjithçka, askënd nuk do ta marri malli t'i popullojë vatrat e ftohura, t'i ëmbëlsoje tokat e helmatisura, t’i ngjalli shtëpitë e vdekura para se botës t'i ketë ardhur fundi.
/portali DurresLajm/