Një vit më parë, në këtë kohë, Mauro Ikardi do të largohej nga Interi për t’iu bashkuar PSG-së me formulën e huazimit me të drejtë blerjeje të fiksuar në kuotën 70 milionë euro. Për më pak se vlera e klauzolës së shitjes (111 milionë euro), shifër që megjithatë do të ulej akoma më shumë (50 milionë) për shkak të pandemisë “COVID” që goditi edhe botën e futbollit. Ikardi u largua jo më në rolin e kapitenit, gradë që iu hoq nga klubi që në shkurt.

Ishte fillimi i një “lufte të ftohtë” që zgjati 53 ditë, e karakterizuar nga fjalë, polemika dhe nga refuzimi i sulmuesit për t’u vendosur në gatishmëri të Spaletit në fazën vendimtare të sezonit. Zyrtarisht për t’u kuruar nga dhimbjet në gju, në të vërtetë për të shënuar një qëndrim kundrejt klubit përpara zgjedhjes së këtij të fundit për t’i treguar derën pas vitesh të kaluara gjithmonë në nivele të larta.Si përfundoi, sot është çështje e ditur. Ikardi vendosi sërish në shpatulla fanellën me numër 9 të Interit për disa ndeshje, paditi klubin, por nuk pati kohë për të kuptuar se kush kishte të drejtë e kush gabim sepse në gongun e fundit të merkatos së gushtit vendosi të ulte armët, të merrte valixhet dhe të zbarkonte në Paris.

Viti i tij i parë në Francë u mbyll me zhgënjimin për humbjen në aktin e fundit të Ligës së Kampioneve me Bajernin e Mynihut, finale e përjetuar nga argjentinasi si spektator në pankinë. Megjithatë, Ikardi, siç ka konfirmuar në profilin e tij “Instagram”, nuk ka asnjë peng dhe ka thumbuar Interin: “Një vit më parë duhet të merrja një vendim për të ndryshuar drejt diçkaje më të re. Sot, një vit më pas, jam me kokën lart për atë që kam bërë. Nuk jam penduar aspak për atë vendim. Sot e konsideroj zgjedhjen më të mirë të jetës sime”.