TIRANË, 30 qershor 2013 – Një lajm i trishtueshëm ka pushtuar botën e teatrit dhe kinematografisë shqiptare me ikjen nga kjo jetë, në moshën 66 vjeç, të aktorit të njohur Minella Borova.
Borova ka bërë emër në moshën 22 vjeç, kur shkëlqeu në dramën disidente Njollat e murrme të Minush Jeros, ku fitoi edhe çmim si aktor i ri.
Famën ia dha pikërisht ndalimi që iu bë shfaqjes me urdhër të Enver Hoxhës.
Vetëm pas 10 vjetësh në teatrin e Korçës, Borova tërhiqet në ish- Institutin e Lartë të Arteve në vitin 1969, për të dhënë lëndën e mjeshtërisë së aktorit.
Kur ishte pjesë e trupës së teatrit “A. Z. Çajupi” Borova ka shkëlqyer në dramat Të pamposhturit, Mosha e bardhë, Engjëjt e skëterrës, Plumbat e shkronjave, Qyteti i akuzuar etj.
Po ashtu gjatë qëndrimit në qytetin e tij të lindjes, Borova u aktivizua dhe në ish-kinostudion “Shqipëria e re” në filmat Montatorja, Mëngjese lufte, Rrugë të bardha, Shtigje lufte, Në fillim të verës, Udhëtim në pranverë, Pylli i lirisë, Flamur në dallgë, I treti.
Edhe kur ishte pedagog, Borova nuk i preu lidhjet me skenën (dramat Tri ditët e kiametit, Mësuesi i letërsisë etj) dhe ekranin (filmat Shoku ynë Tili, I paharruari, Fushë e blertë fushë e kuqe, Rrethimi i vogël).
Borova ka luajtur me sukses përbri kolosëve të skenës dhe ekranit.
Po ashtu, në vitet 1980-1990, është marrë me kritikën teatrore.
Për dy vjet, 1989-1991, ka punuar në ish-Komitetin e Kulturës dhe Artit.
Më 1993 emigroi në Argjentinë.
U kthye në vitin 2006, kur edhe nisi punë në QNK.
Në vitin 2007 interpretoi në dramën Duke pritur Hënën.
U kthye sërish në Buenos Aires.
Ai ka interpretuar në një teatër argjentinas në Buenos Aires.
Ka botuar në vitin 2008 në Tiranë vëllimin e parë poetik Ku puthen dy oqeanet.
Shërbeu edhe si diplomat i Shqipërisë në Argjentinë.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





