Deputeti demokrat i Durrësit konfirmon largimin drejt një force të re politike të qendrës së djathtë që do të zyrtarizohet në muajin mars. Mohon votën për rrëzimin e qeverisë, pasi “durrsakët votën ma dhanë me siglën e PD-së”. Besimi se Durrësi do të jetë bastioni i partisë së re.
Deputeti i Partisë Demokratike, Gazmend Oketa, ka konfirmuar zyrtarisht largimin nga forca politike që përfaqëson në parlament. Nga ana tjetër, ai ka deklaruar se votën e tij nuk do ta përdorë për të rrëzuar qeverinë Berisha, pasi votën qytetarët e Durrësit ja kanë dhënë nën siglën e PD-së. Sipas Oketës, deformimi i pushtetit dhe demokracisë së brendshme në strukturat e PD-së kanë qenë dy nga arsyet që e detyruan atë t´i drejtohet një force të re politike, e cila do të prezantohet brenda muajit mars. Ndryshimet kushtetuese sipas Oketës kanë deformuar sistemin, duke i dhënë monopol partive të mëdha që t´i bëjnë presion institucioneve të pavaruara. “Nuk di nëse po shkojmë në demokraci apo diku tjetër…kemi diktaturë në vendimmarrje dhe anarshi në zbatimin e vendimeve”. Më tej Oketa, në intervistën për gazetën “Dyrrah” komentoi dhe shanset e përfaqësimit të forcës së re politike në qytetin e Durrësit.
Cilat janë arsyet kryesore që ju çuan drejt largimit nga PD-ja?
Mendoj se pjesa më e mirë e ëndrrës së vitit 90-të nuk është realizuar dhe pas 20 vitesh përsëri Shqipëria është në një kryqëzim të madh. Nuk di nëse po shkojmë drejt demokracisë apo diku tjetër. Po shkojmë drejt 100-vjetorit të themelimit të shtetit shqiptar dhe akoma në këtë vend përbën lajm fakti nëse tre figurat kryesore të shtetit kanë qëndruar në krah të njeri-tjetrit apo jo. Tashmë pushteti shikohet si një mënyrë për të mbushur xhepat dhe jo për të forcuar institucionet. Personalisht nuk kam hyrë në parti për të shkelmuar institucionet.
Cilët kanë qenë sipas jush faktorët kryesorë që çuan në këtë situatë dhe pse po distancoheni tani nga PD-ja?
Mendoj se ndryshimet kushtetuese kanë prishur balancat e sistemit. Aleanca e dy liderve kryesorë në prill të vitit 2008, ndryshoi brenda natës Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Po kështu humbi demokracia e brendshme në PD dhe gjithçka u reflektua në mënyrën më negative në qeverisje. Personalisht kam kohë që nuk i frekuentoj mbledhjet e grupit të PD-së, ku nuk të dëgjon njeri. Nuk dua që nipërit e mi pas 20 vitesh të më shohin të pranishëm në këto mbledhje, si në kohën e Byrosë Politike. Këto janë sjellje politike si të diktaturës. Kuvendi i fundit i PD-së me mandate të skaduara ka prishur perceptimin për këtë forcë politike. Termat juridikë përsa i përket funksionimit të PD-së nuk ekzistojnë. PD-ja nuk mundi që ta nxjerrë vendin nga ai udhëkryq ku vendi ish futur në vitin 2005 nga korrupsioni. Tashmë ne jemi përsëri në udhëkryq. Situata ekonomike është e rëndë. Po lulëzojnë vetëm bizneset pranë qeverisë, pasi nuk ka konkurrencë, por vetëm klientelizëm. Kemi tre vjet që na refuzohet statusi i vendit kandidat dhe ne vazhdojmë të zihemi për karrige. De facto jam tërhequr nga grupi parlamentar i PD-së, pasi kam kohë që nuk marr pjesë në mbledhjet e tyre, por de juro e konfirmoj tani.
A do të thotë kjo se vota juaj mund të shkojë me ata që duan rrëzimin e qeverisë Berisha?
Jo, absolutisht jo. Unë nuk jam nga ato që hanë bukën dhe përmbysin kupën. Votën e kam marrë nga qytetarët e Durrësit dhe për më tepër nën siglën e PD-së, kështu që nuk do ta përdor këtë votë për largimin e qeverisë. Sigurisht unë e di se përse kam ardhur deputet në Kuvendin e Shqipërisë. Në vitin 2005 u zgjodha në një zonë elektorale në Durrës e ju jam mirënjohës atyre që më kanë zgjedhur. Kandidova në një zonë me rekord negativ për votat në numër për PD-në, pasi kandidova përballë një ish-ministri të PS. Duke patur këtë lloj mirënjohje edhe në 2009, pavarësisht faktit se tërhiqem nga grupi i PD në respekt të qytetarëve vota ime nuk do cenojë qeverinë aktuale.Natyrisht që për ligje apo vendime që shkojnë ndesh me interesat e qytetarëve, vota ime mund të jetë kundër, por për çështje madhore që kanë të bëjnë me ekzistencën e qeverisjes, vota ime do të jetë pro qeverisë. Unë do të respektoj vullnetin e votuesve. Në këto kushte do të synoj një forcë tjetër politike e cila do të jetë e qendrës së djathtë.
Kur mendoni se do të zyrtarizohet kjo forcë dhe cili do të jetë pozicioni i Presidentit të Republikës atje?
Do të jetë një forcë politike e qendrës së djathtë, e cila mund të zyrtarizohet brenda muajit mars.
A mendoni se kjo forcë politike mund të rivalizoje spektrin dominues politik?
Unë mendoj se listat e zgjedhësve janë shumë më të gjata se votuesit, gjë që do të thotë se ka shumë njerëz që kërkojnë një përfaqësim të ri.
Në ç’pozicion e shikoni Durrësin përsa i përket forcës së re politike të qendrës së djathtë që do të ndërtoni?
Durrësi do të jetë një nga bastionet tona politike, pasi në këtë qytet të kulturës ka hapësira të mëdha jo vetëm të qendrës së djathtë, por dhe të gjithë atyre që kërkojnë një politikë të re qytetare dhe konstruktive.
A do të ishte e mundshme një aleancë me PS pas zgjedhjeve të vitit 2013?
Ne do të hyjmë në garë për të fituar. Është herët për të folur për aleanca. Mendoj se shqiptarëve iu duhet një përfaqësim i ri, për vetë faktin se dy forcat e mëdha politike nuk mund ta bëjnë tashmë këtë gjë. Shqiptarët nuk meritojnë një opozitë si kjo aktualja që vetëm cicëron përmes Twiterit, apo një qeverisje që nuk po na mban në udhëkryq.
A mund të më thoni ndonjë detaj të veçantë që do të ketë kjo forcë politike në dallim me ato ekzistuese ?
Është pak herët për të folur, por mund të them se do të ketë rregulla të qarta, ku çdo njeri nuk do të jetë i përhershëm në karrigen e tij. Mandatet do të jenë të kufizuara.
Si e shpjegoni faktin që ju largoheni nga PD-ja tashmë që nuk keni kolltuk ministri?
Unë mendoj se situata në qeverisje dhe PD ka ardhur duke u keqësuar, veçanërisht pas ndryshimeve kushtetuese. Ka disa faktorë që ndikuan që vendimi të merrej tani. Nuk duhet të jemi negativistë, por në kushtet kur janë shuar idealet dhe çdo gjë është bërë biznes, nuk mund të vazhdohet më. Aktualisht kemi diktaturë në vendimmarrje dhe anarshi në zbatim. Nuk mund të vazhdohet më kështu.