Aksioni i IKMT për shembjen e 10 banesave te ish-drejtoria e Ujësjellës Kanalizimeve në Tiranë ka shkaktuar përplasje mes banorëve dhe policisë bashkiake.

Në vendin e ngjarjes ndodhen punonjës të policisë bashkisë, të cilët nuk lejojnë që banorët mos të futen në banesa. Ndërkohë, disa të tjerë nuk pranojnë që të dalin nga shtëpitë e tyre.

Në një lidhje telefonike për News24, gazetari Erjon Shena ka treguar se ka pasur konfrontim fizik me punonjësit e policisë bashkiake, ndërsa ai nuk nguroi që të akuzonte këta të fundit se i kanë tërhequr zvarrë nënën. Ai tha se janë pronarë të truallit (me dokumente) në vendin ku ndodhet kopshti, që i takon bashkisë së Tiranës.

Shena tha se banorët nuk ishin lajmëruar për aksionin, ndërsa shtoi se ishin njoftuar përmes një letre ngjitur në derën e tyre që lironin banesat. Ai tha se këto 10 familje kërkonin më shumë kohë që t’i hiqnin prej aty mobiljet.

“Kjo është prona e jona, e gjyshërve tanë që nga vitet ’67. Është bërë kopsht aty, por ne nuk u kompensuam. Që nga ’97 ne kemi jetuar aty. Ne na është kthyer toka, kemi 3 vendime gjykate. Para një muaj na vjen disa punonjës bashkiakë..na thonë se hapni një gjyq se e keni keq punën. Ne kërkojmë një afat që të lirojmë shtëpisë se kemi moblilje. Dje java na ka ardhur një letër, hajdutshe, ngjitur me derën, s’na është dhënë asnjë afat. Në këtë kafshëri që po bëhet këtu, e kuptojmë që e jemi të humbur. Këtu nuk do bëhet kopsht…Aty është për shumë lartë….nejse. Ka pasur konfrontime. 2-3 persona janë dëmtuar. Nëna ime është tërhequr zvarrë nga forcat bashkiake. Unë jam i dëmtuar nga duart. Policia e rendit nuk ndërhyn.”, tha banori.