Përplasje mes bizneseve që kundërshtojnë aksionin e IKMT-së për prishjen e pronave të tyre dhe efektivëve të forcave të policisë janë shënuar pasditen e sotme. Njëri prej biznesmenëve ka humbur ndjenjat.
Pronarët e subjekteve, që janë lokale e restorante, janë shprehur se nuk janë njoftuar lidhur me aksionin e IKMT-së.
“Ne jemi të pajisur me leje, e ka lëshuar Elvis Rroshi. Dokumentacionin nuk e kanë marrë për bazë ata na thanë vetëm që të pastrojmë objektin, pa kurrfarë njoftimi paraprak, thjeshtë na është thënë se do bëhet shembja e objektit. Se nga kush është ky urdhër asgjë nuk dimë. Ka dhe objekte të tjera që po heqin po të njëjtën situatë si ne. Unë do të qëndroj këtu bashkë me familjen dhe të afërmit e mi që ky objekt të mos shembet se e kam ndërtuar me djersë, të paktën pa një arsye ligjore. Të ndërhyjë kryeministri se nuk po dimë nga po vijnë këto urdhra. Unë kam bërë dhe një kallëzim në Komisariatin e Policisë në Kavajë, dhe nuk kam hequr asgjë nga objekti im. Nuk dimë nëse ka një plan rregullues, me informacionet që disponoj unë, nuk ka asnjë plan rregullues në zonën tonë se duhet të ishim informuar”, u shpreh një nga pronarët e prekur nga aksioni.
Ndërkohë përfaqësues të IKMT-së, janë shprehur se përgjegjësitë për dhënien e lejeve i mbajnë bashkitë, raporton “Fax Ëeb”:
“Do bëhet spastrimi i zonës. Pa favorizuar askënd. Edhe ata që janë me leje. Le të përgjigjen bashkitë si i kanë dhënë këto leje. Nuk është puna jonë kjo. Ne zbatojmë detyrën.”
Sipas IKMT ato janë objekte të ngritura në rërë, shumë prej të cilave kanë qenë të ndërtuara edhe më parë dhe ishin prishur nga IKMT.
“Objektet janë brenda fashes se mbrojtur nga bregu ku nuk duhet ndërtuar sipas ligjit. IKMT u bën thirrje ndërtuesve të tillë, të mos ndërrmarrin iniciativa antiligjore duke u mbështetur në letra të dyshimta dhënë nga zyrtarë, të cilët do të mbajnë përgjegjësi ligjore për veprimet dhe mosveprimet e tyre. IKMT shprehet e prerë në zbatimin e ligjit dhe mbrojtjen e territorit”,- thuhet në reagimin e IKMT-së.





