* E reja gjobitet nga Gjykata me 100 mijë lekë
9 nëntor 2015 – “Më kanë rrëmbyer 4 veta të maskuar. Më detyruan të futem në makinën e tyre. Tani sa kemi kaluar Fushë-Krujën”. Kanë qenë këto fjalët që 26-vjeçarja Edlira P. i ka thënë bashkëshortit të saj në telefon duke e alarmuar atë për një rrëmbim të sajuar.
Ngjarja, pjellë e fantazisë së gruas, për të fshehur gjurmët e arratisjes ndodhi në shkurt të këtij viti. Menjëherë burri i trembur ka lajmëruar policinë për ‘rrëmbimin’, pa ditur se gjithçka ishte një sajesë e bashkëshortes për të justifikuar takimin me të dashurin.
Vetëm pak orë pasi policia u njoftua për ngjarjen, 26-vjeçarja Edlira P. u gjet në një automjet që po shkonte në drejtim të Durrësit. Ajo ishte në shoqërinë e dy personave, të cilët s’dinin gjë për rrëmbimin e gruas. ‘Rrëmbyesit’ e dinin se vajza që kishin në automjetin e tyre quhej Jona dhe se ajo ishte 23 vjeçe.
Lidhur me këtë ngjarje, Edlira P. u deklarua fajtore nga Gjykata e Tiranës pak ditë më parë për akuzën e “kallëzimit të rremë” dhe u gjobit me 100 mijë lekë. Sipas Gjykatës, 26-vjeçarja kishte kallëzuar me dashje një krim që nuk kishte ndodhur. “BalkanWeb” raporton se gjatë gjykimit ajo ka pranuar akuzën dhe ka shfaqur pendesën e saj.
/portali DurresLajm/