Farmacitë në Durrës janë mbushur me borxhlinj, të cilët marrin ilaçe me listë. Fenomeni është i njohur dhe shumë i përhapur si në qytet edhe në zonën periferike. Për shkak të gjendjes së keqe ekonomike mjaft pacientë e qytetarë kanë gjetur si zgjidhje të vetme të trokasin në atë farmaci me të cilën kanë njohje. Listat janë të gjata dhe një numër i konsideruar mbartin detyrimet recetë pas recete derisa t’u krijohet mundësia për të shlyer lekët. Farmacistët nuk kanë pranuar të ofrojnë listë me emra duke e justifikuar këtë veprim si pjesë e kodit. Por nga ana tjetër nuk ngurrojnë të thonë se nuk ka farmaci që të mos lekëlistë me borxhlinj.

Përgjithësisht janë persona apo familjarë të papunë, të tjerë me ndihmë ekonomike apo edhe pacientë kronikë që shkruajnë emrat në fletore e blloqe në këmbim të ilaçeve. Sipas farmacistëve ka në mesin e borxhlinjve edhe qytetarë që nuk kanë mundur të shlyejë detyrimin prej më shumë se gjysëm viti. Njëra nga farmacistet që ka lokalin e saj pranë mauzoleumit të dëshmorëve ka pohuar se kjo kategori është shumë korrekte në shlyerjen e detyrimit që kanë ndaj tyre.

Blerësit e ilaçeve likuidojnë shumën të cilën u detyrohen farmacive sapo marrin pensionin, rrogën, ndihmën apo përkrahjen. Lista dhe emra gjen në të gjitha farmacitë e Durrësit si tek  “Babamusta”, Troplini, “Kazanxhiu”, “Merita”, “Ariana”, “Myshketa”, “Sage”, “Angja” që janë në qytet, por edhe tek të tilla në Plazh, Shkozet, Spitallë apo në komuna e bashki të tjera. Kohët e fundit lista ka ardhur gjithnjë duke u rritur. Megjithatë fenomeni është i hershëm.

Shitësit që kanë vite në farmaci pohojnë se ilaçe veresi kanë dhënë edhe në kohën para viteve 1990, por prej dhjetë vitesh numri i personave që marrin medikamente veresi është shtuar. Të sëmurët kronikë përgjithësisht shkojnë në të njëjtën farmaci ashtu si dhe familjarët e pallatit apo të lagjes. Kjo u jep atyre privilegjin për të qenë të sigurtë se nuk kthehen duarbosh pavarësisht nëse nuk kanë lekë, apo lekët në xhep nuk mjaftojnë për të mbuluar tërë shumën. Vit pas viti në tregun farmaceutik në vendin tonë janë futur një sërë medikamentesh të reja dhe të kushtueshme.

Kjo bën që edhe kostoja e një personi a familjari për të blerë ilaçet e recetës është e madhe, ndërkohë që të ardhurat mbeten po ato. Rimbursimet zënë shumë pak të kostos së përgjithshme pasi në listën për rimbursim janë futur medikamente jo të kushtueshme, ndërsa përfitues të tyre janë një kontigjent shumë i vogël krahasuar me frekuentuesit e farmacive. Shtresa më e vobektë, është edhe kontigjenti që shton listat e problematikëve edhe për faktin se ata e kanë fare të paktë mundësinë për të gjetur para borxh.

E vetmja mundësi e rrugë është të kërkojnë ndihmë tek farmacisti, të cilit i qajnë hallin. Shitësit kanë klientelën e tyre të cilët kanë apo nuk kanë lekë e kanë të vështirë deri edhe të pamundur t’i kthejnë mbrapsht. Shitësit e ilaçeve thonë se gjëra të tillë, ku blerësi shkon me recetë në dorë dhe merr ilaçe pa lekë, ndodhin vetëm në vendin tonë. Megjithatë ata pohojnë se e kanë të pamundur të refuzojnë dhënien e medikamenteve mjekësore veresi pasi bëhet fjalë për shëndetin e njerëzve.