Tiranë, 17 mars 2014– Zyrtarët e administratës publike që deklarojnë gabim pasuritë e tyre do të gjobiten me 50 deri në 100 mijë lekë. Kreu i Inspektoratit të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, Shkëlqim Ganaj, ka firmosur pak ditë më parë urdhrin me numër 27 ku përcaktohen disa raste kur zyrtarët nuk plotësojnë siç duhet formularët e deklarimit të të ardhurave dhe shpenzimeve për vitin kalendarik. Në krye të urdhrit përcaktohet se për 10 raste të plotësimit gabim të deklarimit ose kur zyrtarët nuk i përgjigjen kërkesës së inspektorëve për të korrigjuar dokumentet, do të aplikohen sanksionet e përcaktuara në nenin 40, pika 1 të ligjit “Për deklarimin e pasurive…” në të cilin thuhet: “Për shkelje të tjera të këtij ligji, të përcaktuara me urdhër të inspektorit të Përgjithshëm e të konstatuara gjatë veprimtarisë kontrolluese të Inspektoratit të Lartë, inspektori i Përgjithshëm dënon personat përgjegjës me gjobë në masën 50.000 lekë deri në 100.000 lekë”. Konkretisht, zyrtarët do të gjobiten në rastin kur personat e lidhur me ta nuk kanë firmosur të gjitha fletët e formularit të deklarimit të interesave private, si dhe në rastin kur nuk kanë deklaruar të gjithë personat që kanë lidhje me ta. “Deklarimi i pasurive, burimeve të krijimit të tyre dhe detyrimeve financiare nga subjekti apo personi i lidhur me të, nuk bëhet sipas kërkesave të parashikuara në ligj: zyrtari, apo personat e lidhur me të, nuk deklarojnë sipas kërkesave të formularit të interesave private vlerën e të ardhurave neto; zyrtari nuk ka pasqyruar saktë vlerën e aseteve, të ardhurave apo të detyrimeve sipas monedhës përkatëse; zyrtari, në deklarimin e interesave private periodike vjetore apo pas largimit nga funksioni, nuk pasqyron sipas kërkesave ligjore shtesa dhe ndryshime të gjendjes pasurore, por deklaron gjendjen e tyre; subjekti deklarues apo personat e lidhur me të nuk depoziton dokumentet justifikuese për pasuritë, detyrimet financiare dhe burimet e krijimit të tyre, gjatë kontrollit dhe hetimit administrativ”, thuhet në urdhrin e firmosur nga kreu i ILDKP-së.
RASTET KUR GJOBITEN ZYRTARËT
1) Zyrtari nuk ka plotësuar formularin e duhur të deklaratës së interesave private, sipas llojit të detyrimit për deklarim ose sipas modelit të formularit të miratuar nga inspektori i Përgjithshëm dhe të botuar në Fletoren Zyrtare.
2) Zyrtari, apo personat e lidhur me të, nuk kanë nënshkruar të gjitha fletët e formularit të deklaratës së interesave private ku janë pasqyruar të dhëna lidhur me objektin e deklarimit.
3) Zyrtari nuk ka plotësuar autorizimin dhe nuk ka pasqyruar në deklarimin e tij të interesave private faktin nëse ka ose jo persona të tjerë të lidhur me të, sipas kërkesave të nenit 21 të ligjit nr. 9049, datë 10.4.2003, të ndryshuar.
4) Zyrtari deklaron të dhënat edhe për personat e lidhur, kur këto të fundit disponojnë pasuri të regjistruar veçmas dhe për pasojë detyrohen ligjërisht të plotësojnë fletët përkatëse të këtij formulari.
5) Zyrtari, apo personat e lidhur me të, nuk deklarojnë sipas kërkesave të formularit të interesave private vlerën e të ardhurave neto.
6) Zyrtari nuk ka pasqyruar saktë vlerën e aseteve, të ardhurave apo të detyrimeve sipas monedhës përkatëse.
7) Zyrtari, në deklarimin e interesave private periodike vjetore apo pas largimit nga funksioni, nuk pasqyron sipas kërkesave ligjore shtesa dhe ndryshime të gjendjes pasurore, por deklaron gjendjen e tyre.
Subjekti deklarues, apo personat e lidhur me të, nuk marrin masa për të rregulluar brenda afatit ligjor pasaktësitë e konstatuara gjatë përpunimit paraprak të deklaratës së interesave private, sipas kërkesave të parashikuara në nenin 24 të ligjit nr. 9049, datë 10.4.2003, të ndryshuar. Subjekti deklarues, apo personat e lidhur me të, nuk paraqitet brenda afatit ligjor të përcaktuar në nenin 27 të ligjit nr.9049, datë 10.4.2003, të ndryshuar, për të dhënë shpjegime mbi deklarimin e interesave private.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





