LONDER, 07 mars 2013– Shkencëtarët të cilët dekodojnë historinë gjenetike të njerëzve tek përcjellin mutacionin e gjeneve kanë përdorur teknikën e njëjtë në njërin prej shkrimeve më të vjetra të botës perëndimore. Kështu mëtojnë se e kanë zbuluar kohën se kur është shkruar “Iliada” e Homerit. Ata konstatojnë se Homeri – nëse fare ka ekzistuar ky person – e ka shkruar këtë vepër në vitin 762 para erës sonë. Kanë lënë mundësinë e gabimit 50 vjet më herët ose më vonë. “Iliada” ka për rrëfim luftën e Trojës, ku grekët mundën trojanët. Raporti i një grupi studiuesish është publikuar në ueb-faqen e kërkimeve shkencore, livescience.net. 

"Studiuesit e pranojnë versionin se lufta vërtet është zhvilluar dhe se dikush me emrin Homer ka shkruar për të", ka thënë Mark Pagel, teoricien në Universitetin Reading në Angli. Bashkëpunëtorët e tij në këtë projekt përfshijnë ekspertin e gjenetikës Eric Altschuler, nga Universiteti i Mjekësisë dhe Stomatologjisë në New Jersey dhe linguistin Andreea S. Calude nga Instituti i Sante Fe në New Mexico. Ata kanë vërtetuar se “Iliada” është shkruar rreth vitit 762 para erës sonë. 

Pagel ka thënë se fakti që ekspertët e gjenetikës janë përfshirë në këtë projekt nuk duhet të befasojë. "Gjuhët ‘sillen’ në mënyrë të pazakonshme, bash sikur gjenet. Ne kemi provuar të dokumentojmë rregullat në evolucionin e gjuhës dhe studimin e fjalorit të Homerit. Kjo do të na ndihmojë të vërtetojmë nëse gjuha ka evoluuar në mënyrën siç ne mendojmë se ka ndodhur. Nëse është kështu, atëherë do të ishim në gjendje të gjenim datën e saktë se kur është shkruar ‘Iliada’”, ka sqaruar Pagel. 

Profesori i studimeve klasike dhe kuratori i divizionit mesdhetar në Muzeun e Universitetit në Pensilvani, Brian Rose, ka thënë se me siguri ka ekzistuar dikush me emrin Homer. 

"Është e qartë se ‘Iliada’ është një përmbledhje e traditës së krijimtarisë gojore e shekullit XIII para erës sonë. Është një përzierje e shumë rrëfimeve të fokusuara në betejat që janë zhvilluar në një zonë të caktuar në veriperëndim të Turqisë”, ka thënë Rose. 

Në “Iliadë” shkruhen kujtimet për flota të mëdha me anijet greke që lundronin në “detin e errët sikur vera” me qëllim që ta rrethonin Trojën e ta kthenin gruan e rrëmbyer. Në anën tjetër studiuesit e krijimtarisë antike dhe arkeologët janë plotësisht të sigurt se Troja ka ekzistuar dhe në përgjithësi e dinë se në cilën zonë shtrihej ky vend. 

Ndryshe, në shekullin XIX arkeologët Heinrich Schliemann dhe Frank Calvert kanë gërmuar atë që sot njihet si Kalaja e Trojës dhe kanë gjetur fakte për një betejë ushtarake të shekullit XII para erës sonë, tek kanë zbuluar shtiza dhe pesë metra mbetje të djegura rreth kështjellës së rrënuar. 

Rose thotë se nuk dihet nëse kjo ka qenë një luftë e Trojës me elementë të jashtëm apo ka qenë një luftë qytetare. E përmbledhja që sot njihet si "Iliada " është shkruar disa shekuj më vonë. 

Shkencëtarët kanë përcjellë fjalët në "Iliadë”, njashtu siç përcjellin gjenet. 

"Ata kanë përdorur të ashtuquajturën ‘Listën Swadesh’ që e krijoi në vitet ’40- ‘50 të shekullit të kaluar linguisti amerikan Moris Swadesh. Lista përmban nocionet, gjegjësisht fjalët të cilat mund të gjenden në secilën gjuhë a kulturë. Këto kryesisht janë emërtimet për pjesë të trupit, ngjyrat dhe gjithsesi fjalët për nënë e baba. Ata kanë kërkuar ‘Swadesh fjalët’ në ‘Iliadë’ dhe kanë gjetur 173 sosh”, ka thënë Pagel .

Pastaj kanë vlerësuar se si kanë ndryshuar fjalët. Shkencëtarët kanë marrë gjuhën hetita – popullit i cili besohet se ka ekzistuar dhe ka luftuar në atë luftë – dhe gjuhën e sotme greke. Kësisoj kanë përcjellë ndryshimet gjuhësore prej gjuhës hetita deri te Homeri dhe në gjuhën bashkëkohore greke. “Kjo është njësoj sikur të përcillni historinë gjenetike të njeriut; bazoheni në të kaluarën për të kuptuar se si dhe kur kanë ndryshuar gjenet”. Ata janë fokusuar tek fjalët e përafërta apo në ato që janë nxjerrë prej tyre. Pagel e ka shpjeguar këtë nëpërmjet shembullit me fjalën “ujë”.

"Kemi fjalën ‘water’ në anglisht, ‘wasser’ në gjermanisht dhe ‘vatten’ në suedisht. Krejt këto fjalë rrënjën e kanë në ‘vator’ nga proto-gjermanishtja. Megjithatë ka edhe përjashtime, siç është rasti me fjalën ‘hundë’ nga anglishtja e vjetër, që përkthehet me fjalën qen, por më vonë nuk do të ndërrohej me rrënjën e fjalës, por me një fjalë krejt tjetër, ‘dog’”, ka shpjeguar Pagel .

Ai ka thënë se studimi i gjuhës është një replikator i shkëlqyeshëm i kulturës. “Ajo riprodhon me një precizitet të mahnitshëm”, ka thënë ai.