Gjermani, 25 korrik 2014 – Një ndër sulmuesit më të mirë në Bundesliga 2, kosovari Ilir Azemi është futur në grevë, pasi dëshiron të largohet nga skuadra e tij aktuale Greuther Furth. Por, një gjë të tillë po e refuzojnë drejtuesit e skuadrës të cilët nuk po e lënë kosovarin të transferohet te Eintracht Frankfurt që me ngulm po e kërkon “Bomberin” e Kosovës.

Ishte vetë futbollisti ai që me anë të rrjetit social Facebook, ka shprehur qëndrimet e tij rreth grevës te skuadra në të cilën nuk dëshiron të luajë akoma, madje ai ka shtuar se vullneti në Greuther Furth po i mungon dhe nuk ka dëshirë të shënojë as gola, derisa kryesia nuk do të vendosë ta lirojë nga kontrata.

“Jam në grevë. Nuk po stërvitem. Në miqësoren e fundit kam luajtur shumë dobët dhe pa vullnet. Do të vazhdoj kështu derisa të më lëshojnë. Pasi ekipi nuk po brengoset, nuk do të brengosem as unë. U kam thënë drejtuesve se nuk dua të rri më, dua të largohem”, ka shkruar Azemi.