Ekipi i Rilindjes në Durrës takon banorët e Gjepalaj: Nuk mund të ketë Shqipëri të zhvilluar pa rilindur fshati shqiptar

DURRES, 26 maj 2013– Ekipi i Rilindjes i Durrësit ka zhvilluar një takim entuziast me qindra banorë të komunës Gjepalaj.

Në këtë takim kanë marrë pjesë shumica e ekipit durrsak të Rilindjes si Blendi Klosi, Klodiana Spahiu, Ilir Beqaj, Shkëlqim Troplini, Jurgis Çyrbja, Sokol Sula, Ardian Kokomani dhe Esmeralda Shkjau.

Në këtë takim merrte pjesë edhe anëtari i kryesisë së PSSH dhe kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako i cili në fjalën e tij deklaroi se qeveria e ardhshme me kryeministër Edi Ramën do të rilindë të gjithë Shqipërinë.

Vota për rilindjen shqiptare deklaroi Dako është votë për një epokë të re pasi të gjithë shqiptarët besojnë tek një e ardhme më e mirë që do ta realizojë programi i Rilindjes dhe i PS për zhvillimin e Shqipërisë. 

Në këtë takim e ka marrë fjalën deputeti Blendi Klosi i cili është ndalur në pikat kryesore të programit të Rilindjes që do të ndryshojë jo vetëm qarkun e Durrësit por të gjithë Shqipërinë.

Në fjalën e saj deputetja Klodiana Spahiu duke marrë shkas nga situata aktuale e sistemit shëndetësor të rrënuar e të korruptuar deklaroi se qeveria e kryeministrit Edi Rama me anë të reformës në shëndetësi do ta rilindë këtë sektor që aktualisht është i degraduar.

Më pas e ka marrë fjalën edhe një pjesëtar tjetër i ekipit durrsak të Rilindjes Ilir Beqja, i cili e vuri theksin në atë pjesë të programit të Rilindjes që ka të bëjë me fshatin: 

“Ne, socialistët dhe progresistët, besojmë se nuk mund të ketë Shqipëri të zhvilluar pa rilindur fshati shqiptar. Ne besojmë se mund ta ndërtojmë Shqipërinë Europiane edhe në hapësirën rurale të vendit tonë. Fshati është i braktisur nga shteti. Fshatarët janë lënë të vetëm. Ne do të mbështesim të gjitha familjet që jetojnë në fshat. Duke ulur kostot e aktiviteteve në bujqësi dhe blegtori.”

Në të njëjtën linjë kanë qenë edhe pjesëtarët e tjerë të ekipit të rilindjes durrsake që kanë shprehur bindjen në fitoren e madhe të PS dhe koalicionit të majtë në 23 qershor, bindje e cila u mbështet fuqishëm dhe me mjaft entuziazëm nga banorët e zonës pjesëmarrës në këtë takim.