Ilir Beqja është caktuar bashkë-kryetar i Grupit të ekspertëve, që së bashku me përfaqësues të LSI-së do të hartojë projektin qeverisës që do të paraqitet në muajin shtator. Sekretari për programin në PS shpjegon për “JAVA” sesi do të kalohet nga premtimet elektorale, në angazhimet konkrete të qeverisjes së re të pas-zgjedhjeve. “Përmasat konkrete të fitores na kanë vënë përpara një sfide shumë të madhe, pasi nuk mund të kemi asnjë lloj alibie apo justifikimi për mungesë votash, për reforma të thella e të domosdoshme, që shqiptarët mezi i presin,” thotë Beqja

Zoti Beqja, fillimisht një opinion rreth fitores së thellë që opozita korri në zgjedhjet e 23 qershorit?

Faleminderit për intervistën dhe për mundësinë që më jepni që të komunikoj me lexuesin e revistës suaj menjëherë pas zgjedhjeve të 23 qershorit.

Fitorja e koalicionit “Aleanca për Shqipërinë Europiane” është së pari përmbushje e angazhimit politik të Partisë Socialiste për të realizuar rrotacionin politik, për të dhënë kontributin maksimal në realizimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme në vend. Përtej këtij vlerësimi politik që, pashmangshmërisht, e bëj për vetë angazhimin e drejtpërdrejtë në procesin elektoral, për mua është një lloj plotësimi i një dëshire të nisur që në fillimin e pluralizmit politik. Atë të kontributit qytetar në përmbylljen e tranzicionit në Shqipëri. Në vitin 1991 unë isha vetëm 23 vjeç. Brezi im pati fatin që historia nuk ta fal gjithmonë. Nëse nuk do t’ia dilnim kësaj herë do të ishte shumë e trishtueshme të gëlltisja që t’i përkisja një brezi të humbur. Megjithatë duhet të vinte momenti që të më “ndihmonte” edhe vota për herë të parë e vajzës sime (Deborah mbush 19 vjeç pas tre javësh) që aspirata 22 vjeçare të bëhej e prekshme.

Por, përmasat konkrete të fitores na ka vënë përpara një sfide shumë të madhe, pasi nuk mund të kemi asnjë lloj alibie apo justifikimi për mungesë votash për reforma të thella e të domosdoshme që shqiptarët mezi i presin.

Keni shpenzuar mjaft kohë dhe energji këto vitet e fundit, së bashku me shumë të tjerë në radhët e opozitës, për t’i dhënë formë ofertës elektorale të PS në zgjedhjet e 23 qershorit. Tashmë kjo ofertë, e rakorduar me LSI dhe aleatët e tjerë, do të kthehet në një program qeverisës konkret, me angazhime të matshme dhe afate për t’u respektuar. Sa i vështirë dhe kompleks do të jetë ky proces i dytë?

Procesi i hartimit të programit elektoral të Rilindjes ka qenë proces i inxhinieruar në detaje drejtpërdrejt nga Edi Rama dhe i zbatuar me përkushtim dhe përgjegjshmëri nga kontributi i drejtpërdrejtë i më shumë se 1 mijë grave dhe burrave që unë po shfrytëzoj rastin që t’i falenderoj edhe një herë. Unë pata fatin e madh të jem në detyrën e koordinuesit dhe bashkërenduesit të procesit dhe të inventarizuesit, seleksionuesit dhe harmonizuesit të propozimeve.

Procesin e hartimit të programit qeverisës të koalicionit “Aleanca për Shqipërinë Europiane” nuk e konsideroj proces të vështirë apo kompleks. E vlerësoj proces jashtëzakonisht të rëndësishëm për një fillim të mbarë e të vrullshëm të qeverisjes. Pa dyshim do të jetë proces impenjativ për skuadrat që do të jenë pjesë e ngjizjes dhe hartimit të programit qeverisës 4 vjeçar. Për fat të mirë nuk ka çështje ideologjike apo programore që na ndajnë e për të cilat duhet të lëshojmë për hir të kompromiseve që janë bashkëjetuese në politikë.

Kritikët tuaj thonë se propozimet tuaja për shëndetësinë, arsimin, sistemin fiskal etj, janë thjesht jorealiste, në kushtet ekonomike e financiare në të cilat ndodhet vendi. Si u përgjigjeni tani, nga pozita e fituesit të zgjedhjeve?

Në të njëjtën mënyrë si jemi përgjigjur qoftë para fushatës, qoftë gjatë fushatës elektorale. Pa dyshim që gjendja ekonomike e dhe financiare është katastrofike. Por këtë gjendje ne nuk e shohim si fatkeqësi kombëtare. E shohim si sfidë, si mundësi. Ky diskutim bëhet i frytshëm dhe efektiv duke pranuar së pari modelin e ri ekonomik që ne mendojmë se i duhet vendit. Nuk është më e nevojshme të përsërisim arsyet e shterimit të modelit ekzistues, por besoj se duhet të ndajmë me lexuesin tuaj skicimin e modelit të ri ekonomik. Sepse, pikërisht, është modeli i ri ekonomik që do të mundësojë burime të nevojshme financiare për të përmbushur angazhimet dhe zotimet programore.

Në programin bazë të Rilindjes të 5 nëntorit 2011 ne kemi përcaktuar se:

“Synimi ynë strategjik është transformimi i ekonomisë shqiptare nga ekonomia e shtetit më të varfër në kontinent, në ekonominë e një vendi sa më të begatë dhe të integruar plotësisht në Bashkimin Europian. Rruga e realizimit të këtij synimi kalon nga ndryshimi i strukturës së ekonomisë, nga një ekonomi bazuar tek konsumi i mallrave të importuara, emigracioni e informaliteti në një ekonomi që bazohet tek puna dhe rritja e produktivitetit.

Për këtë kemi tre prioritete:

Një ekonomi rurale , moderne dhe produktive, që furnizon tregun e brendshëm me produkte ushqimore (të cilat deri më sot importohen) dhe gjeneron të ardhura të larta, duke përmirësuar standardet e jetesës në fshat.

Një ekonomi prodhuese që ka nevojë urgjente të zgjerohet e të rrisë produktivitetin dhe efikasitetin me produkte cilësorë, me përdorim afatgjatë. Mbështetje për ata sektorë prodhues që krijojnë vlerë të shtuar për ekonominë, nxisin punësimin dhe zgjerojnë prezencën e produkteve shqiptare në tregjet e eksportit.

Shërbime tregu  që duhet të rriten në sasi dhe cilësi. Turizmi mbetet një nga sektorët më të lënë pas dore gjatë dy dekadave të fundit. Për zhvillimin e këtij shërbimi prioritar do të shfrytëzojmë bukurinë natyrore dhe trashëgiminë kulturore të vendit. Mbështetje e lehtësim i shërbimeve logjistike, me synim që Shqipëria të kthehet në një qendër rajonale shërbimesh, duke shfrytëzuar pozicionin tonë gjeografik në raport me Bashkimin Europian dhe vendndodhjen strategjike në kryqëzimin e rrugëve natyrale perëndim-lindje.”

Në programin elektoral të Rilindjes për zgjedhjet e 23 qershorit kemi shtuar:

“Këto tri shtylla kryesore të zhvillimit ekonomik do të plotësohen me:

·Një qasje të re të shfrytëzimit të burimeve natyrore të vendit;

·Orientimi të zhvillimit ekonomik drejt detit; dhe

·Bashkëpunim i ngushtë ekonomik me shtetin e Kosovës në ato sektorë të ekonomisë reale ku ka interes të përbashkët si energji, ushqime e bujqësi, turizëm etj.”

Sa më sipër do të plotësohen në vijimësi me element të rinj. Mjafton të shtojmë qoftë vendimin për TAP apo faktin se brenda vitit Shqipëria do të marrë statusin e vendit kandidat.

Megjithatë, pavarësisht modelit, rikthimi i zhvillimit ekonomik në binarë normal kërkon edhe parakushtet që po i radhis në vijim:

·Zgjidhje të çështjes së pronësisë

·Administratë Publike profesionale dhe të pakorruptuar

·Informacion statistikor të saktë, të plotë, të shpejtë, koherent dhe transparent

·Fuqi punëtore të kualifikuar

·Rivendosje të sigurisë dhe qetësisë publike

·Hartim dhe miratim i Planit të Përgjithshëm Kombëtar

·Parashikueshmëri të legjislacionit fiskal

·Sistem drejtësie të ndershëm e të pavarur

Baronesha Ashton bënte thirrje që pas certifikimit të zgjedhjeve shqiptare, të nisë menjëherë nga puna qeveria e re. A jeni dhe ju për anashkalimin e fazës së gjatë të transferimit të pushtetit, e cila zgjat deri në shtator, për shkak të gjendjes emergjente financiare të vendit?

Në Shqipëri ne vuajmë nga moszbatimi i ligjit, prandaj nuk do të më pëlqente që që në hapat e parë të Rilindjes të fillonim me një veprim të pasaktë apo, qoftë, të pambështetur gjerësisht.

Nenet 65 dhe 67 të Kushtetutës praktikisht nuk mundësojnë fillimin e punës së Kuvendit të ri edhe për 10 javësh prej sot. Por, unë vetë gjithmonë kam besuar se çdo ligj, aq më shumë ligji themeltar i shtetit, përpara se të jetë numër neni, germë paragrafi apo presje në një fjali duhet të jetë dhe është frymë. Dhe Kushtetuta jonë fillon me “Shqipëria është Republikë parlamentare”. Kësisoj duhet shfrytëzuar çdo hapësirë dhe mundësi që mund të ekzistojë që mazhoranca dhe opozita e re të fillojnë aktivitetin politik në institucione.

Cilat parashikohet të jenë hapat e para të qeverisë së re, në fushën ekonomike e financiare?

Hapat e para të qeverisë së re do të përcaktohen me partnerët e koalicionit, posaçërisht me Lëvizjen Socialiste për Integrim, do të përcaktohet nga skuadra me të cilët kryeministri do të vendosë të qeverisë vendin.

Për mua, veç të tjerash, në hapat e parë të qeverisë sonë në lëmin ekonomik dhe financiar duhet të përfshihen nevoja për të bërë një orë e më parë një bilanc të plotë e transparent të gjendjes reale të ekonomisë, duhet të punohet energjikisht për hartimin e buxhetit të vitit 2014 meqë procedurat normale të hartimit të tij në nivelin ministror në vite normal përfundojnë brenda gushtit, duhet të analizohen imtësisht të gjitha procedurat prokuruese që janë në ekzekutim në këtë periudhë rrotacioni pushtetesh.

Vetëm për ilustrim po ju radhis disa nga skandalet që po realizohen këto ditë në dëm të interesave të shqiptarëve.

·Ministria e Ekonomisë po lejon eksportimin e energjisë elektrike me çmim ndjeshëm më të ulët se çmimi ndërkombëtar aktualisht.

·Ministria e Inovacionit po kryen procedura antiligjore të negocimit të njëkohshëm edhe me të renditurin i pari edhe me të renditurin i dyti në tenderin e dixhitalizimit të sinjalit televiziv.

· Ministria i Punëve Publike po realizon procedura të koncesioneve të ndryshme në Portin e Durrësit të nisura në prag të fushatës pa u bërë publike për ofertues të ndryshëm.

·Ministria e Mjedisit po realizon dhënien e lejes së kultivimit të peshkut të territore të mbrojtura.

·Ministria e Mbrojtjes po realizon procedurat e prokurimit të mirëmbajtjes së radarëve të ruajtjes së bregdetit në kushtet kur zbatuesi i kontratës ekzistuese i zgjedhur me procedurë të hapur nuk është ftuar në garën aktuale.

A nuk ju duket një përkrahje sa e madhe popullore, aq edhe impenjuese? A ju frikësojnë ndopak shifrat që kanë dalë nga kutitë e 23 qershorit, zoti Beqja?

Numrat e 23 qershorit janë befasuese, besoj unë, edhe për më optimistin ndër ne opozitarët. Këta numra janë shumë impenjues siç thoni ju me të drejtë në pyetjen tuaj. Për mua, 1 milion vota për opozitën (nuk e di a është rastësore me deklarimin tonë prej muajsh se në vend janë 1 milionë të papunë), 300 mijë vota më shumë se kundërshtarët politikë, janë më shumë fitore e popullit shqiptar sesa fitore politike  e koalicionit tonë. Politikisht ne mund të arrinim tek 73-74 mandate, apo edhe 77 mandate. 84 mandate i vendosi populli shqiptar, sepse nxori nga subkoshienca e gjithsecilit nevojën për të treguar botërisht se shqiptarët janë një popull normal, se duan të mbyllim periudhën 22 vjeçare të tranzicionit, se e meritojnë të fillojnë ndërtimin e Europës së ëndërruar prej 101 vjetësh që kur rilindasit tanë themeluan shtetin amë.

Numrat e rezultatit elektoral na kushtëzojnë që sjella jonë në qeverisje të mishërojë disa tipare, të cilat në mënyrë të pavetëdijshme ne i ndjenim në rrugën tonë të Rilindjes dhe me të cilët ngjizëm programin e Rilindjes. Për mua janë PËRULËSIA, PUNA, PËRKUSHTIMI dhe PËRGJEGJSHMËRIA.

84 mandatet e koalicionit tonë janë mundësi për shumë reforma. Që reformat të jenë të qëndrueshme do të ishte mirë të miratoheshin me konsensus politik sa më të gjerë, por unë vetë menjëherë pas gëzimit të fitores kam çuar në mendje me kënaqësi mundësinë që shqiptarët na dhanë për të bërë një nga reformat më të munguara dhe më të dëshiruara, reformën territoriale. Vetë kjo reformë do të jetë një vlerë e shtuar për zhvillimin ekonomik të vendit dhe do të na mundësojë që të bëjmë një Plan të Përgjithshëm Kombëtar sa më të plotë.

/s.m. JAVA/