Durrës, 28 shkurt 2014– Ilir Biturku, ish ndihmësi i trajnerit italian, do të jetë trajneri i Teutës deri në fund të edicionit dhe një gjë të tillë e ka konfirmuar edhe presidenti Hasanbelliu.

 “Pikërisht kështu do të funksionojë dhe kam përshtypjen që nuk kemi më arsye për të kërkuar një tjetër trajner. Biturku e njeh mirë skuadrën, ka dëshirë të punojë dhe do të ketë të gjithë mbështetjen tonë. Veç të tjerash, do të ketë ndihmën e një specialisti të mirëfilltë siç është përgatitësi atletik i ardhur nga Italia, si dhe trajneri i portierëve, tek të cilët ne besojmë shumë. Tashmë skuadra është dhe mund të funksionojë fare lehtësisht, mjafton që të punohet me futbollistët kryesisht në anën fizike, si dhe psikologjikisht me të huajt, për t’u sjellë në të njëjtën mënyrë, si në “Niko Dovana”, ashtu edhe në çdo stadium tjetër”, deklaroi presidenti Hasanbelliu. Fillimisht, dukej se në “pole position” ishte tekniku kryeqytetas, Ilir Daja, por pasi ka refuzuar për problemet e tij, presidenti Hasanbelliu ka marrë një vendim të shpejtë për të vendosur Biturkun në këtë detyrë.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/