Tiranë, 8 prill 2014 – Ilir Hoxha, i biri i Enver Hoxhës, vetëm pak ditë para 29-vjetorit të vdekjes së Enver Hoxhës, flet për herë të parë për gazetën ‘DITA’ për veten dhe familjen e tij, për historinë gjysmëshekullore të Shqipërisë, për Kosovën dhe shqiptarët sot dhe për çështje të tjera…

“Më pyesni për çfarë të doni, unë do t’u përgjigjem”, thotë ai, duke dhënë përgjigje për një sërë pyetjesh, mes të cilave edhe atyre që kanë të bëjnë me çështje që kanë ndjeshmëri të madhe në popull si: lufta e klasave, miqësia dhe mandej prishjet  me jugosllavët dhe sovjetikët, eliminimi i Mehmet Shehut etj.

Hoxha shprehet se lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare mbetet epopeja më e madhe dhe e lavdishme e popullit shqiptar.

“Ishte kjo Luftë e drejtë që e rradhiti Shqipërinë në krah të koalicionit të madh antifashist. Po të mos ishin ato vendime të drejta, që mori PKSH në atë ditë të vështira të pushtimit, Shqipëria do të rrezikonte të zhdukej nga harta politike si vend i lirë dhe i pavarur. Unë jam krenar për babain tim që udhëhoqi këtë Luftë të lavdishme, por jam dhe po aq krenar që jam bir i këtij populli heroik që në ditët më të vështira të historisë së tij,diti t’i dal zot fateve të vendit, duke i dhënë atdheut edhe gjënë më të çmuar jetën e bijëve të tij”, shprehet ai.

Sipas tij, PD erdhi në pushtet, jo në rrugën e duhur, por duke shkatërruar mundin e 50 viteve, që pati më pas pasoja të hidhura.Hoxha shprehet se krahasimi i babait të tij me Hitlerin, është për të hutuar mendjet e njerëzve për zullumet që i ka bërë këtij populli.

“Sali Berisha po e kupton dështimin e plotë në politikë. Tani po duket qartë, se në çfarë kolapsi ekonomik e ka futur Shqipërinë. Çfarë shkatërrimi i shkaktoi gjithë territorit dhe resurseve natyrore të Shqipërisë. Ku e katandisi shkencën, artin dhe kulturën dhe çfarë traumash të mëdha sociale krijoi për shoqërinë shqiptare”, shprehet Hoxha.

Ja se si e rrëfen ai ndarjen nga jeta të babait të tij: “Para se të bëhet rivarrimi që përmendët ju, kryhet ç’varrimi, që për kodin etik tradicional shqiptar quhet dhunim pas vdekjes, një tmerr mbi tmerret. Kështu ishte për mua, një tmerr mbi tmerret, një ngjarje më e rëndë se dhe vetë vdekja. Kur Enver Hoxha vdiq më 11 prill 1985, atij ju bën homazhet zyrtare.Tashmë të gjithë i njohin ato pamje filmike ku shfaqen rradhë të gjata njerëzish që, shkonin t’i jepnin lamtumirën e fundit Enver Hoxhës. Ky hidhërim mbarë kombëtar që u shfaq ato ditë, për ne familjarët ishte një ngushëllim i madh. Po me ç’varrimin ç’ndodhi?Më 3 maj të vitit 1992, në orën 21 të darkës, dikush troket në derën e shtëpisë time dhe më la në dorë një copë letër, ku thuhej që në orën 6 të mëngjesit të paraqiteshim në varrezat e Sharrës se bëhej rivarrimi i Enver Hoxhës. Në atë letër nuk thuhej asnjë fjalë për ç’varrim.Çdo gjë ishte planifikuar të kryhej përgjatë gjithë natës. Gjithsesi ne shkuam menjëherë tek varrezat e Dëshmorëve të Kombit, që të ishim aty kur të hapej varri. Policia që kishte bllokuar hyrjen e varrezave, nuk na lejoi që të afroheshim. Dhe ne, gjatë gjithë asaj nate, qëndruam jashtë kangjellave të Varrezave të Kombit, në pritje që të shihnim arkivolin e babait. Pas insistimit tonë na lejuan të afroheshim. Kur u sigurova që eshtrat nuk kishin lëvizur, nuk iu ndava për asnjë çast arkivolit, deri sa u rivarros në varrezat e Sharrës.Kujtova se atje ku e varrosëm babain, tani në mes të njerëzve të thjeshtë, varri do të ishte më “personal’, por jo,sepse shumë njerëz shkojnë atje jo vetëm në ditët e shënuara, por madje kthehen edhe në ditë të zakonta dhe vënë ndonjë lule, apo ndezin qirinj te varri i thjeshtë, që është varri i Enver Hoxhës’’, tregon ai.

I pyetur për  raportet me prindërit Ilir Hoxha shprehet se:“Babi ishte shumë i dashur me të tre fëmijët. Si çdo prind, kur ishim të vegjël ai na përkëdhelte shumë, por edhe na kritikonte për prapësitë e moshës. E veçanta e tij ishte se ai kurrë nuk e ngrinte zërin kur na zinte në faj. Na fliste dhe mundohej të na shpjegonte që ne të mos e përsërisnim gabimin. Por fjalët e ngrohta të babait nuk rreshtën as kur u bëmë madhorë, madje dhe kur ne u bëmë prindër dhe ai gjysh.. Ai kurrë nuk na e impononte vullnetin e tij madje as ndërhynte në gjëra që nuk prishnin aq punë në formimin dhe të ardhmen tonë. Ndërsa, Nexhmija përveç, dashurisë që na jepte si nënë, kujdesej për mbarëvajtjen tonë në shkollë si dhe për kurset e gjuhëve të huaja që mësonim, aktivitetetet jashtëshkollore që ndiqnim. Në bisedat që bëjmë tani me mamanë, kujton se, kur i thoshte babait, që duhet t’i flasësh fëmijëve, për këtë ose atë gjë, lidhur me shkollën, ai thoshte si me shaka, “unë jam artileria e rëndë që përdoret rrallë”,- tregon Iliri në gazetën “Dita”.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/