Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta u mor sot në pyetje nga SPAK për gati 2 orë për kontratën e lobimit në SHBA. Por në një reagim të dytë në rrjetet sociale, ish kreu i shtetit shqiptar, i cili ndodhet prapa hekurave tha se prokurorëve të SPAK i ka paraqitur tre fakte zyrtare për aferën e inceneratorëve.
Meta thekson se përgjegjës për këtë aferë janë kryeministri Edi Rama dhe Ëngjëll Agaçi. Ilir Meta po ashtu shtroi pyetjen se çfarë bëhet me hetimet ‘ndërkohë që dhjetëra milionë euro vazhdojnë të vidhen dhe të financojnë kallëzues të rremë, media dhe analistë “spakistë” që përmbytin banaqet televizive?’
Reagimi i Ilir Metës:
Në seancën e sotme të pyetjeve reciproke në SPAK, në cilësinë e Presidentit të Partisë së Lirisë, forcës së dytë opozitare në vend, që ka qenë denoncuesja kryesore e megaaferës së inceneratorëve, që ka përgjegjës kryesorë Edi Ramën dhe Ëngjëll Agaçin, paraqita sot tre fakte zyrtare dhe panele që i ngarkon ata me përgjegjësi.
- Edi Rama, në kundërshtim me çdo ligj në fuqi, më datë 7.12.2016, firmosi dhënien e bonusit prej 8% të pikëve kompanisë Integrated Energy BV sh.p.k për procedurën e konkurrimit, për ndërtimin e inceneratorit të Tiranës, por që ne fakt kjo kompani NUK EKZISTONTE në momentin që Kryeministri firmosi bonusin që e favorizonte ne procedurën konkurruese.
- Edi Rama ka firmosur në kundërshtim me ligjin “Për koncensionet dhe Partneritetin Publik/Privat”, për negocimin pa shpallje të kontratës koncensionare për ndërtimin e inceneratorit të Elbasanit edhe pasi Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, Engjell Agaçi, u njoftua zyrtarisht nga Drejtori i Agjencisë së Prokurimeve Publike, z. Eduard Ahmeti, se procedura e përzgjedhur për dhënien e këtij koncensioni negocim pa shpallje është e paligjshme.
- Firmën e paligjshme të Erion Veliaj për miratimin e koncensionit 30-vjeçar të inceneratorit fantazmë të Tiranës, në shmangie të vendimarrjes së Këshillit Bashkiak të Tiranës dhe në shkelje të ligjit.
Meqë kjo çështje ka interes të lartë publik, pyetja ime ishte se çfarë bëhet me hetimet ndërkohë që dhjetëra milion euro vazhdojnë të vidhen dhe të financojnë kallëzues të rremë, media dhe analistë “spakistë” që përmbytin banaqet televizive? Që të mos lodhet më shumë SPAK dhe analistët “spakistë” ja ku i kanë dokumentat me firmë dhe me vulë.