Izrael, 10 korrik 2014 – Portali informativ “Algemeiner.com” njofton se Ministri i jashtëm izraelit Avigdor Liberman në kulmin e breshërive të raketave të Hamasit nga Rripi i Gazës, ka filluar një sherr institucional me Kryeministrin Netanjahu. Libermani kërcënon se partia e tij Yisrael Beiteinu mund të dalë edhe nga koalicioni qeverisës, nëse Kryeministri Netanjahu nuk ndryshon mënyrën e sjelljes me Libermanin.
Pika e fundit që e mbushi plot kupën në sherrin Liberman –Netajahu ishte vizita e Kryeparlamentarit shqiptar Ilir Meta në Izrael. Netanjahu e kritikoi rreptë ministrin e tij të jashtëm Liberman për mospjesëmarrjen në mbledhjet e kabinetit qeveritar.
Ai theksoi se javën e fundit Libermani, ndonëse ndodhej fizikisht në Tel Aviv, përsëri nuk mori pjesë në mbledhjen e qeverisë. Libermani ju përgjigj Kryeministrit se ai kurrsesi nuk mund të merrte pjesë në atë mbledhje, sepse kishte një takim të fiksuar kohë më parë në axhendën e tij me Kryeparlamentarin shqiptar Meta.
Ai theksoi se nuk mund të anullohej takimi me një zyrtar të lartë të të huaj, mik të Izraelit si Ilir Meta vetëm 2 orë para këtij takimi. Nuk dihet sesi do t’i shkojë filli këtij sherri politik në qeverinë izraelite, ndërsa 1,5 milion izraelitë janë brenda rrezes së goditjes së raketave të Hamasit dhe së paku 500 000 prej tyre detyrohen herë pas here të futen në bunkerë për t’i shpëtuar këtyre goditjeve raketore.
/gje. th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





