30 tetor 2015 – Ilir Meta e humbi toruan. Larg shumë larg portretit “me qetësi dhe dashuri” që tregon në Tiranë, ai tregoi një fytyrë tjetër në Uashington. E agresoi gazetaren e Zërit të Amerikës, i tha se je e painformuar, e ftoi të bëhej kryeprokurore në Shqipëri, u mundua ta kompleksojë duke e shantazhuar se ajo nuk mund të fliste në emër të shqiptarëve dhe së fundi nuk i’u përgjigj asnjë pyetjeje. As atyre për jetën e tij luksoze, as atyre që e akuzonin për korrupsion. Që Ilir Meta nuk shfaqi anën e tij “të dashur” në Uashington këtë e panë të gjithë, madje edhe zyra e tij e shtypit që i serviri mediave një variant të qethur të intervistës, nga i cili ishin hequr të gjitha replikat me spec.

Por pyetja është pse u nervozua Meta? Pyetjet që iu bënë nuk i dëgjonte as për herë të parë, as nuk përmbanin ndonjë fakt të ri. Po atëhere pse?

Arsyeja e humbjes së qetësisë duhet kërkuar në qëllimin e udhëtimit të Metës në SHBA. Prej muajsh ai po akuzohej se amerikanët ia kishin hequr vizën. Se madje ai as nuk shkelte dot më në këtë vend, se ambasadori Lu në Tiranë vetëm villte vrer kundër tij, se zv/sekretarja e shtetit Malloi e kish quajtur atë një strukturë paralele të shtetit brenda shtetit, etj. Për të gjitha këto, Metës i kishin kushtuar sa qimet e kokës kompanitë e lobingut që e çuan në Uashington. Ai priste nga ky udhëtim një operacion të vërtetë marketingu, për të ndrequr imazhin e tij. Në momentet që ai u paraqit në studiot e Zëri i Amerikës, ai priste kulmin e operacionit të tij. Zakonisht gazetarët e VOA-s nuk shquhen për pyetje agresive. Ata kanë më tepër karakterin zyrtar dhe protokollar. Kështu që Meta e kishte llogaritur intervistën si një ruazë më shumë në gjerdanin e operacionit të tij të imazhit. Ai nuk kishte hall të pranohej tek amerikanët, halli i tij i vërtetë qe që të gjithë këtë fabul t’ua shiste shqiptarëve si një mbështetje të SHBA-së. 

Dhe në këtë kuptim intervista te Zëri i Amerikës ia prishi planin. Ajo la shijen se fama e jetës së tij luksoze, se bëmat dhe akuzat ndaj tij për korrupsion, kanë kapërcyer tashmë oqeanin. Në këtë kuptim, ajo qe antimarketingu më i tmerrshëm dhe asgjësuesi i gjithë lobingut të tij që i ka kushtuar sa qimet e kokës. Ajo e prishi fasadën që Meta kërkoi të ndërtonte me mund. Ndaj ai e humbi torruan në studio, u soll brutal dhe arrogant, si rrallë e kemi parë në Tiranë. Sepse ai kuptoi se i thyen pikturën që kërkonte të shiste në Shqipëri.

Marrë nga Lapsi.al

/portali DurresLajm/