TIRANE, 07 mars 2013-Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta ka zhvilluar një vizitë në qytetin e Shkodrës, ku vizitoi nga afër disa biznese të prodhimeve fason, konkretisht në ndërmarrjen ‘Berttoni 1991, ku prodhohen këpucë dhe me numër prej 800 të punësuarish. Gjithashtu, z. Meta vizitoi edhe biznesin ‘Justin Confecsion 2006’, e specializuar për prodhime veshjesh si dhe në kompaninë ‘Calzaturificio Adelchi’, me mbi 400 të punësuar. Gjatë këtyre takimeve, Z. Meta shprehu kënaqësinë e tij që ka vizituar dhe ka parë nga afër punën që bëhet në këto sipërmarrje të suksesshme të prodhimeve ‘Made in Albania’ në vendin tonë.

“Është një kënaqësi e veçantë që të vizitoj sot një nga sipërmarrjet më të suksesshme në vendin tonë, të biznesit fason. Një rast mjaft të suksesshëm gjithashtu të suksesit të prodhimeve ‘Made in Albania’ që ka të bëjë natyrisht me vizionin dhe përkushtimin e sipërmarrësit, z. Radovani, i cili është edhe një pionierët e ekonomisë së tregut të lirë në vendin tonë, ku punësohen me qindra punonjës”, – deklaroi ndër të tjera në fillim të fjalës së tij kreu i LSI-së, i cili shtoi gjithashtu se forca politike që ai përfaqëson e ka theksuar vazhdimisht rëndësinë e mbështetjes së mëtejshme për biznesin fason, pasi sipas tij, është një biznes tepër i rëndësishëm, që realizon rreth 600 milion dollarë eksporte jashtë vendit.

“Ne kemi theksuar vazhdimisht rëndësinë e mbështetjes së mëtejshme të biznesit fason, sepse është një biznes tepër i rëndësishëm, i cili  realizon rreth 600 milion dollarë eksporte jashtë vendit. Është një biznes, i cili punëson rreth 110 punonjës, kryesisht gra dhe vajza dhe njëkohësisht është një biznes, i cili më një mbështetje edhe më të madhe mund të zgjerojë akoma dhe më tej jo vetëm eksportet, por edhe numrin e të punësuarve”, – theksoi gjithashtu kreu i LSI-së. Ai rikujtoi hapat pozitive të ndërmarra në mbështetje të këtij biznesi, ku përmendi zerimin e  taksës për importin e lëndëve të para, heqjen e TVSH-së për makineritë dhe pajisjet, si dhe zerimin e taksës për pagat deri në 30 mijë lek të reja.

Z. Meta shprehu bindjen e tij se ekzistojnë të gjitha mundësitë për t’i ofruar këtyre bizneseve një mbështetje akoma dhe më të madhe në muajt dhe vitet që vijnë, pasi sipas tij, kjo është një domosdoshmëri për të rritur punësimin, eksportet si dhe një kontribut i jashtëzakonshëm për vetë komunitetin për të lehtësuar problemet sociale dhe për rritur punësimin në zonat ku këto aktivitete janë përqendruar. “Natyrisht janë bërë disa hapa pozitive sikurse është zerimi i taksës për importin e lëndëve të para, apo së fundi edhe heqja e TVSH-së për makineritë dhe pajisjet, apo edhe zerimi i taksës për pagat deri në 30 mijë lek të reja, por jam i bindur se ekzistojnë të gjitha mundësitë për një mbështetje akoma dhe më të madhe në muajt dhe në vitet që vijnë pasi është një domosdoshmëri për të rritur punësimin, është një domosdoshmëri për të rritur eksportet dhe është një kontribut i jashtëzakonshëm edhe për komunitetin këtu dhe kudo tjetër ku kemi aktivitete të tilla për të lehtësuar problemet sociale”, – deklaroi gjithashtu në prononcimin e tij kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, z. Ilir Meta pas vizitës së tij në këtë biznes fason.