Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i pranishëm sot në çadrën e protestës me të rinjtë, vijoi akuzat ndaj kryeministrit Edi Rama. Basha tha se kreu i qeverisë i ka detyruar njerëzit të dalin sot me zorr në mitingun e zhvilluar në Kavajë, dhe u shpreh se ka fakte që e provojnë këtë, një video të cilën e postoi dhe ish-kryeministri Berisha në Facebook-un e tij.

Kreu i opozitës ndër të tjera komentoi dhe zëra se Ilir Meta do të propozohet nesër si presidenti i ri i republikës. Sipas tij, pavarësisht se Rama e sulmoi gjatë këtyre viteve, pasi donte ta fuste në burg, e shpalli sot kandidat për president. “Njeriun që u përpoq ta fuste në burg, rivalin politik për të cilin ngriti dosjes konspiracioni, me gangster, u detyrua ta shpall president të rilindjes së korruptuar. Kjo është një ditë e dëshpëruar për Ramën.”, tha Basha.

“Sot Rama preku fundin politik të ekzistencës së tij, të mashtrimeve të tij dhe korrupsionit që mbolli në 4 vite në Kavajë e gjithë Shqipërinë,” tha Basha gjatë fjalës së tij.

“Sot, është dita ku leximi i dëshpërimit të Ramës dhe Republikës së Vjetër është i qartë për këdo me sy në ballë e mend në kokë. Sot është një ditë e dëshpëruar për Ramën që e provoi para çdo qytetari të Kavajës. Më shumë se Kavaja, nxinte vetë Edi Rama që sot preku fundin politik të ekzistencës së tij, të mashtrimeve të tij dhe korrupsionit që mbolli në 4 vite në Kavajë e gjithë Shqipërinë. Provat, faktet dhe dëshmitë me celularë, të atyre që i detyruan me zorr të dilnin në shesh për të pritur kryeministrin e dështuar dhe të korruptuar, janë sot fakte të pamohueshme.  I fliste fare qartë dhe mjerimi i ulur këmbëkryq në Kavajë, papunësia në nivele ekstreme, rritja e kostos së jetesës dhe pasiguria totale që ka mbërthyer një qytet, që nën Rilindjen e Ramës u menaxhua nga banditët e Rilindjes, të personit të dënuar për përdhunim të një vajze të mitur në Itali. Ky është monumenti i turpit i Ramës i ngritur në Kavajë. Dëshpërimi i Ramës lexohet në çdo fjalë. Një nga njohësit më të shkëlqyer të rajonit të Ballkanit, Karl Bild, shënoi në llogarinë e tij në Twitter se Shqipëria ndodhet në një udhëkryq të rrezikshëm politik,” u shpreh kreu i PD.