Partia e Lirisë shkon në zgjedhje vendore të vitit 2023 me objektiv të qartë. Synon këshillat bashkiakë. Prioritet është këshilli bashkiak i Tiranës ndërsa do të mbështesë çdo kandidat të opozitës që do të ndëshkojë kandidatin e Rilindjes.

Kështu deklaroi kryetari i Partisë së Lirisë Ilir Meta në një konferencë për median duke ftuar dhe socialistët të ndëshkojnë me votë atë që e quan “sekti i Rilindjes”.

Meta tha se me paratë e incineratorëve po realizohen sondazhe kundër tij.

“Këto janë sondazhe të kombinuara edhe nga ata që financohen nga paratë e inceneratorëve. Këtë sondazh për mua e ka shpallur Edi Rama që ditën kur kam dalë nga presidenca. Edi Rama e di shumë mirë që mbi 80% e Shqipërisë po zien nga padurimi për ta shporrur atë. Nëse ka një forcë politike ku nuk fut duart është Partia e Lirisë. Nëse nuk do të kisha një popullaritet kaq të madh nuk do të ndërmerreshin të tilla sulme. Unë i besoj sondazhit të përditshëm që bëj në raport me qytetarët. Partia e Lirisë do të arrijë një rezultat të jashtëzakonshëm. Nuk jam fare i shqetësuar për popullaritetin tim por për gjendjen e rëndë që është vendi“, tha Meta.