Ish presidenti Ilir Meta ka folur mbrëmjen e sotme për herë të parë për orët që kaloi i marrë në pyetje nga oficerët e policisë gjyqësore dhe prokurorët në SPAK.
Kryetari i Partisë së Lirisë, në një intervistë sonte në Vizion Plus foli jo vetëm se për çfarë u pyet nga SPAK, por edhe për raportet me Kastriot Ismailajn, tani që qendra e vëmendjes është tek skandali CEZ/DIA që po hetohet në SPAK.
Meta tha se u pyet për raportet e tij me Kastriot Ismailajn për të cilin tha se e njihet që në fillim të viteve ’90, duke shtuar gjithsesi se nuk ka asnjë marrëdhënie me të.
Në vijim Meta tregoi se pyetjet në SPAK ishin paradoksale: “Më pyetën ku ke fjetur, me kë ke fjetur”.
Më tej shtoi: “Kastriot Ismailaj mund të thotë çdo gjë që të shpëtojë veten. Elvis Mata është një mashtrues që ka qenë drejtor i Ismailajt, që u përdor kundër tij më pas nga Damiani e prokuroria, me qëllim të fitonte pala tjetër. Ky person kishte edhe gruan me probleme, se unë çdo gjë e them me përgjegjësi, dhe vjehrra e tij ka marrë tendera nga Damian Gjiknuri.
Nuk më intereson fare se çfarë dëshmon Ismailaj. Meta është kristal i pastër në këtë çështje. Ata merren me këto çështje se ata nuk kanë fuqi të merren me Edi Ramën, e shumë çështje të tjera.”