Nuk është se janë mënjanuar apo janë jashtë partisë themeluesit e saj, por u bë një ndërtim i tillë i strukturave të Partisë Socialiste ku ne (themeluesit e saj) nuk u përfshimë. Ne u konsideruam të pavlefshëm, janë futur elementë të rinj që ne nuk na njohin, nuk na thërrasin, nuk komunikojnë me ne. Ata nuk kanë nevojë për eksperiencën tonë

Partia Socialiste duhet të funksionojë si një derë e hapur ku pranohen kontributet e gjithësecilit. Kështu do të deklaronte Iliriana Kërçuku, një nga themelueset e degës së PS-së në Durrës duke iu referuar lënies mënjanë që strukturat aktuale të PS-së i kanë bërë anëtarëve më të vjetër. Duke u ndalur në çështjen më të nxehtë të politikës shqiptare të muajve të fundit, zgjedhjen e presidentit, Kërçuku shpreh hapur mbështetjen e saj për ish-liderin historik të selisë rozë, Fatos Nano. Sipas saj, Nano do të ishte kandidatura e përshtatshme për postin e kreut të shtetit, sepse në gjithë këto vite në politikë ka treguar se ka koncepte të moderuara europiane, ka kapacitet intelektual dhe është i pranueshëm nga qytetarët.

Në çfarë konteksti politik dhe shoqëror u krijua dega e PS-së së Durrësit?

Krijimi i degës së PS-së është bërë në një periudhë të vështirë, pasi ndryshonin sistemet. Për shumë njerëz ishte sfida qytetare për të dhënë kontribute në atë kohë ndyshimesh. Personalisht këtë kontribut e kam ndjerë si nënë, si intelektuale, si grua dhe si profesioniste për të aderuar te PS-ja. Që në fillimet e PS-së në Durrës kam qenë në forumet më të larta si anëtare e Komitetit të Përgjithshëm Drejtues dhe anëtare kryesie prej 15 vitesh në rreth. Kontaktet e para në krijimin e degës së PS-së kanë qenë takimet në grupe për krijimin e celulave të vogla. Ndër njerëzit që kujtoj nga ajo periudhë kanë qenë Bardhyl Agasi, Zini Beqiraj, Spartak Braho, Edmond Agolli etj. Pasi u krijuan grupet u ndje nevoja e një organizimi më të madh. Dega duhej të kishte statut dhe program. Këtë mund ta bënte vetëm një Kongres. Kongresi i parë i vitit 1990 kristalizoi orientimin për krijimin e degës së PS-së në Durrës. Ky Kongres përmbysi sistemin e dikurshëm dhe u ristrukturua një parti e re socialiste me një vizion perëndimor.

Në këtë Kongres jam zgjedhur  anëtare e Komitetit të Përgjithshëm Drejtues, si përfaqësuesja e parë e grave të Durrësit. Më pas në nivel rrethi nisi të ketë një përkrahje më të madhe për Partinë Socialiste, pavarësisht se ishte një tranzicion shumë i dhunshëm. Duke qenë që partia që ne krijuam vinte nga një parti e së vjetrës, akoma kishte opinione se ne mbartnim trashëgiminë e së shkuarës. Kemi punuar në kushte shumë të vështira. Mbaj mend që shkoja te PS-ja dhe na ndërpritej rruga nga policë dhe njerëz të ndryshëm të dyshimtë. Pavarësisht nga kjo situatë, duke qenë tepër paqedashëse dhe me një tolerancë qytetare e konfirmova veten se isha një qytetare që kërkoja të jepja tërë ndihmesën time në PS. Menjëherë pas Kongresit u formua dega e PS-së. Për herë të parë në parlament jam zgjedhur në zgjedhjet e vitit 1996, por ato zgjedhje ishin të manipuluara dhe ne si PS e bojkotuam atëherë Kuvendin. Ishte një legjislaturë që zgjati vetëm nëntë muaj dhe më pas u përsëritën zgjedhjet në vitin 1997 ku unë fitova me mbi 51% të votave. Në atë kohë ne ishim pesë deputetë socialistë nga Durrësi. Mbas kësaj legjislature unë kam qenë këshilltare e Ministrit të Shëndetësisë për spitalin e Durrësit.

Cilat ishin negociatat e para për formimin e degës së PS-së?

Jemi mbledhur tek ish-Komiteti i Partisë, në sallën ku bëheshin mbledhjet e forumeve të mëparshme të Partisë së Punës. Mbaj mend që kemi qenë rreth 15 veta duke dhënë opinionet dhe mendimet tona për të ndërtuar një parti të ristrukturuar, mbi bazën e një statuti dhe një programi që të ishte shumë social. Unë isha e vetmja femër në këtë takim së bashku me Bardhyl Agasin, Spartak Brahon, Fatos Muçën, Zini Beqiraj, Edmond Agolli dhe të tjerë, që të më falin se nuk më kujtohen. Si grua më dilte si detyrë që të bëja jo vetëm punën si anëtare e degës, por dhe të ridimensionoja rolin e gruas në parti. Vetë natyra e gruas që është katalizator në familje, akumulator i dijeve, mbarëvajtës i edukimit të fëmijëve etj. i shërbente shëndoshjes së degës së PS-së. Në një farë mënyre, roli i gruas do të moderonte akoma më shumë Partinë Socialiste. Pas krijimit të degës u krijua dhe organizata e gruas socialiste. Problematikat që shtroheshin në atë periudhë kishin të bënin me format e tolerancës dhe sjelljes gjatë proçesit të tranzicionit. Është interesant fakti se ne mjekët duke e parë njeriun si qenie humane e shikojmë atë në këndvështrimin se duhet të ketë një jetë të qetë, me sa më pak probleme sociale, të bëhet më i moderuar, të jetë i integruar në komunitet.

Sa dhe si i keni mbrojtur interesat e Durrësit në Parlament?

Ne ishim pesë deputetë të Durrësit dhe duhet thënë se kemi qenë në një bashkëpunim unik. Mbaj mend që kemi dhënë një kontribut të madh përsa i përket Spitalit të Durrësit. Në atë kohë, projekti për këtë spital nuk ishte zbardhur. Kishin kaluar afatet kohore dhe Këshilli i Ministrave nuk e merrte më në dorë këtë projekt. Unë që kam qenë kryetare e komisionit të shëndetësisë, së bashku me kolegët e mi kemi marrë kontakte me ish-kryeministrin Pandeli Majko dhe pas disa negociatash arritëm që të bëjmë të mundur realizimin e projektit me vlerë prej 100 milion dollarësh. Më pas u realizuan dhe disa projekte të tjera në këtë spital, të cilat e ngritën në nivele bashkëkohore. Edhe në detyrën e këshilltares së Ministrit të Shëndetësisë, më pas, kam mbështetur projekte të tjera që janë implementuar në Spitalin Rajonal të Durrësit. Aktualisht Spitali i Durrësit është një spital europian falë këtyre investimeve.

Cilat kanë qenë kontaktet që keni pasur me ish-kryeministrin Nano?

Me ish-kryeministrin Nano kontaktet kanë qenë mjaft të shpeshta, kjo dhe për faktin se kam qenë anëtare e Komitetit të Përgjithshëm drejtues të PS-së. Me ish-kryeministrin Nano mund të diskutoje lirshëm për problematika të ndryshme sepse kishte sensin e dëgjimit dhe mirëkuptimit. Ai është një figurë historike e PS-së. Pavarësisht nga motivet që e kanë bërë të tërhiqet disa vite, ish-kryetari Nano është njeri europian, njeri i integruar, njeri me kapacitete politike dhe me një tolerancë që vendi ynë e kërkon. Ai rriti demokracinë në PS, por edhe në shoqërinë shqiptare. Diversitetet në mendime ishin një nga pikat e para që ai i konsideronte produktivitet, progres të zhvillimit të forumeve të partisë. Kjo frymë e Fatos Nanos u reflektua në të gjitha strukturat e PS-së dhe në anëtarin më të thjeshtë socialist që nuk kishte frikë të thoshte mendimin e tij.

Ai futi frymën e tolerancës, bashkëpunimit në të gjitha nivelet. Duke u nisur nga fakti se aktualisht jemi në fushatën për president mendoj se Fatos Nano është figura më ideale që mund të sjellë frymën e bashkëpunimit mes forcave politike dhe qytetërimit që ka nevojë ky vend. Pa mohuar meritat e presidentit Bamir Topi që është njeri me integritet, tolerancë, kontribute dhe me bagazh politik e intelektual mendoj se Fatos Nano është kandidatura më e mundshme në këtë moment integrues që është vendi. Nano aktualisht plotëson kriterin për të qenë një figurë jo politike, njeri me integritet për të ndikuar në forcimin e institucioneve (veçanërisht atyre të drejtësisë). Fatos Nano ka koncepte të moderuara europiane, ka kapacitet intelektual dhe është i pranueshëm nga qytetarët. Ai është një lider për të cilin ka nevojë ky vend.

Cili është ndryshimi në mes Nanos dhe Ramës?

Ndryshimi është i madh, pasi Nano di të japë dorën, di të falë, ndërsa Rama jo, madje dhe më keq.

Çfarë ka ndodhur me njerëzit që e themeluan degën e Durrësit. Duket sikur tashmë janë jashtë PS-së?

Nuk është se janë mënjanuar apo janë jashtë partisë, por u bë një ndërtim i tillë i strukturave të Partisë Socialiste ku ne nuk u përfshimë. Ne u konsideruam të pavlefshëm, janë futur elementë të rinj që ne nuk na njohin, nuk na thërrasin, nuk komunikojnë me ne. Ata nuk kanë nevojë për eksperiencën tonë. Edhe kur kemi shkuar në degën e PS-së që ka qenë dikur shtëpia jonë, duke mos gjetur ngrohtësinë dhe mikpritjen e duhur në sensin e bashkëpunimit, jemi detyruar të largohemi. Ne kemi mbetur në hije për shkak të kësaj indiference ndaj nesh.

Çfarë ka ndodhur me idealizmin te PS-ja?

Në kohën tonë mbizotëronte idealizmi. Mendonim që gjithçka që do të bënim do t´i shërbente integrimit dhe qytetërimit të këtij vendi, që dhe ne të ishim ashtu si pjesa tjetër e Europës. Sot në politikë nuk futen idealistë, por pragmatistë që shkojnë pas interesave. Njerëz që duan shumë privilegje nga njëra anë, por dhe që duan t´i shfrytëzojnë dhe vjelin këto interesa nga ana tjetër. Mund të them se kontributi i njerëzve që ngritën në këmbë PS-në është i domosdoshëm për ecurinë e saj dhe këtë mendoj se duhet ta dijë dhe kryetari Rama. Këta njerëz që krijuan dhe forcuan PS-në kërkuan të sjellin qytetarinë dhe forcimin e bashkëpunimit në mes pozitës dhe opozitës. PS-ja ka nevojë që ajo derë e “shqyer“ që u përdor si term dikur nga një figurë e shquar e PS-së, të jetë një derë e hapur për të pranuar të gjitha kontributet pozitive.

Në kohën tonë kishte intelektualë të njohur të qytetit që kontribuan, ndërsa sot kapacitetet janë rritur ndryshe. Sigurisht që dhe sot ka kapacitete nga të dyja forcat politike. Gjithçka na intereson. Nuk na intereson vetëm një politikë e mbyllur te PS-ja, por e ardhmja e të gjithë shoqërisë shqiptare. Mendoj se shoqëria shqiptare ka nevojë për dinjitet, që forcohet përmes politikave civilizuese. Unë kam përfaqësuar Shqipërinë në disa konferenca shkencore, por në fillim ka qenë e vështirë. Ishim ndoshta pak inferiorë në fillim, por më pas u prezantuam plot dinjitet ashtu si na takon. Të jesh dinjitoz do të thotë të jesh njeri i qytetëruar. Dinjiteti njerëzor është pesha më e madhe.