“Piktura ime është besimi im, është ditari i jetës time”. Kjo është një shprehje e shkëputur nga idetë e Ilo Oxës rreth shpjegimit që jep për krijimtarinë dhe jetën e tij. Në dukje, është një shprehje shumë e thjeshtë dhe të duket sikur gjithkush do ta kishte në majë të gjuhës. Në kuptimin social është më se e vërtetë dhe gjithsecili nga ne do duhej ta thotë, pasi ka në kurrizin e tij thesin e rëndë të kënaqësive dhe problemeve që i ka falur jeta. Por, kur sheh në origjinal veprën e këtij artisti bindesh se nuk është e thjeshtë ta thuash dhe se kjo thënie ka brenda saj të gjithë jetën dhe atë ç`ka di të bëjë Ilo Oxa me pikturën e tij.

Ekspozita e Ilo Oxës, e hapur në Galerinë Kledio do të mbetet shumë mbresëlënëse për publikun shqiptar. Kjo ishte hera e parë që ky publik njihej nga afër me krijimtarinë dhe piktorin shqiptar, i cili e zhvillon krijimtarinë e tij dhe në qytetin ku jeton tashmë prej vitesh në Bolzano të Italisë.

Në ekspozitën që hapi në Tiranë ai solli me tablotë e tij botën emocionale, përjetimet e tij, ndjesitë dhe gjithçka tjetër që përmban universi i një artisti. Nga ana tjetër Oxa mori kontaktet e para dhe emocionet e fuqishme, që mbart çdo artist shqiptar i larguar nga vendi i vet fill pas viteve ’90. Pas shumë viteve larg atdheut të tij ai rivendosi kontaktet me shkollën, pedagogët, miqtë, artistët e rinj, kujtoi rrugëtimin e tij në Shqipëri dhe përjetoi nostalgji për gjithçka kishte kaluar këtu.

Një veprimtari e tillë ishte domosdoshmëri jo vetëm për Ilo Oxën, i cili dëshironte me të gjitha ndjesitë e tij të ekspozonte në Shqipëri, por edhe për sistemin tonë të artit ishte e rëndësishme njohja me Ilon dhe prekja në origjinal e veprës së tij. Kjo mundësi tashmë e dhënë i hap rrugë edhe kritikës shqiptare të diskutojë dhe të vlerësojë krijimtarinë, subjektin, temat dhe arsyet e zhvillimit të kësaj mënyre krijuese, që artisti ka zgjedhur.

Vepra e tij ka një frymë të përgjithshme të realizmit dhe hiper realizmit, që mund ta kanalizojmë edhe me përcaktimin si një realizëm i ri bashkëkohor. Nga pamja e jashtme vizioni i saj është i përcaktuar, transmeton dhe shkakton ndjesi të materialit të objekteve, figura e të cilëve risillet përmes filtrimit figurativ dhe aftësisë precize në përdorimin me cilësi maksimale të elementeve të pikturës së drejtpërdrejtë pasqyruese.

Së brendshmi, në skutat e fshehta të ndërgjegjes artistike të Ilos, vepra e tij tregon hapur marrëdhëniet intime dhe mistike të tij me realitetin dhe realizmin më të ri në fushën e arteve pamore, që zhvillohet sot në mjediset europiane dhe më gjerë.

Ilo Oxa, është një artist i rritur, i formuar dhe i stabilizuar në rrugën e vet. Ai ka një lloj inteligjence, e cila nuk është pjesë e kalkulimit matematikor dhe e logjikës së ftohtë. Mendoj se do gabonim po ta perceptonim në këtë mënyrë pamjen e veprave të tij. Kam idenë se kjo pamje është pjesë e integrimit të imazheve të tij në filozofitë realiste.

Është shumë e vërtetë se është një krijues i aftë i imazhit realist, por kjo do të ishte shumë pak për këtë artist. Ai admiron enigmën e objekteve, admiron natyrën e tyre të freskët dhe të prekshme, adhuron kontaktin e tij me këto objekte, duke qëndruar mbi telajo dhe me vështrim mbi organikën e tyre për orë të tëra dhe në këtë arsye përdor gjestin artistik të tij, krejt individual, për ta shprehur këtë admirim.

Ilo Oxa, përmes këtij admirimi, sjell të mahnitshmen e fshehur të objekteve dhe e bën publikun të gjallërojë intimitetin e tij për këto objekte, por edhe intimitetin e publikut me imazhin e pikturës së vet. Kjo do të thotë se nuk është më objekti real, por imazhi i tij dhe natyrisht kjo do të thotë se është një realitet krejt tjetër, realiteti artistik. Dua të mos gaboj, por shoh se Ilo Oxa respekton dhe e tregon njëkohësisht edhe aftësinë e tij, por edhe vazhdimësinë e jetës së vet e artit të tij, pikturës, e cila të gjithë e dimë nuk është thjesht një imazh, por edhe një lëvizshmëri emocionesh objektive dhe subjektive.

Një vështrim i kujdesshëm mbi imazhet e Ilo Oxës nuk sugjeron asnjëlloj manipulimi teknik, por vetëm ndjekje me rigorozitet të qëllimit fillestar, të jep afërsi ndaj të pikturuarit deri në transparencën më themeltare të objektit të kompozuar në një sipërfaqe dydimensionale, ku vet objekti bëhet zot i saj dhe ku ngjyra i jep katërcipërisht fuqinë e mbretërimit.

 

Vepra e tij ka një frymë të përgjithshme të realizmit dhe hiper realizmit, që mund ta kanalizojmë edhe me përcaktimin si një realizëm i ri bashkëkohor. Nga pamja e jashtme vizioni i saj është i përcaktuar, transmeton dhe shkakton ndjesi të materialit të objekteve, figura e të cilëve risillet përmes filtrimit figurativ dhe aftësisë precize në përdorimin me cilësi maksimale të elementeve të pikturës së drejtpërdrejtë pasqyruese. Së brendshmi, në skutat e fshehta të ndërgjegjes artistike të Ilos, vepra e tij tregon hapur marrëdhëniet intime dhe mistike të tij me realitetin dhe realizmin më të ri në fushën e arteve pamore, që zhvillohet sot në mjediset europiane dhe më gjerë

Shkaku i kërkimeve të tij neorealiste gjendet në formimin e tij akademik, i cili i përkiste realizmit fillestar, por që i ka dhënë atij rrugën (sot të braktisur) e jo frymën. Ky shkak gjendet edhe në aftësitë e tij për të perceptuar natyrën e sendeve, për të zbuluar natyrën e tij psikologjike. Po ky shkak e shtyn te përqasja me format që ky drejtim artistik e detyron individin të sillet me ndjesitë e tij të brendshme, të cilat gjenerojnë krijimin e imazheve të reja mbi ata të botës natyrore dhe shpirtërore që e rrethojnë.

Në këtë arsye mendoj se Ilo Oxa është një nga piktorët më në zë të këtij realizmi në vendin e vet. Nuk mund të arrij të them se çfarë vendi zë ai në Itali, ku zhvillon krijimtarinë e tij, por mendoj se ka një vend të rëndësishëm, të cilin e përcaktojnë veprimtaritë ndërkombëtare, ku ai merr pjesë.

Kohët e fundit, më 17 nëntor 2011 u promovua botimi shumë serioz me titull “Anuario Arte Y Libertad VI” i autorit Jose Enrique Gonzalez, ku janë pasqyruar rreth 500 ilustrime veprash të 107 artistëve me kombësi të ndryshme. Libri është kontribut i Galerisë Artelibera, në Zaragoza të Spanjës. Ky është një nga botimet më prestigjioze, që i është kushtuar krijimtarisë së artistëve realistë dhe hiper realistë bashkëkohës botërorë, të cilët janë përzgjedhur nga stafi i kësaj galerie me motivin: “Artist i njohur bashkëkohor në nivel botëror në arte”.

Bashkëartistë të tjerë me Ilo Oxën në këtë botim janë Ruben Belloso, Cristina Iotti, Carlos Galvan, Rolando Cubero, J, Enrico Gonzales, Dalila del Valle dhe shumë të tjerë.