Nga Gladiola Busulla
Profil qytetar: Ilsid Çullhaj
Magjepsëse në skenë; po aq e këndshme dhe e thjeshtë në jetë.
Cila është sopranoja Ilsid Çullhaj?
Rrugëtimi im në art ka nisur që në vogëli. Që në moshën 6-vjeçare, fillova mësimet në piano. Në vitin e parë të liceut nisi të formësohej dhe ëndrra ime (kantoja), për të vijuar më pas, studimet në Akademinë e Arteve, të cilat u konkluduan me diplomimin në vitin 2009. Aktiviteti im shtrihet më së shumti në qytetin e Durrësit, si soliste në orkestrën e harqeve të qytetit tonë dhe pjesëmarrëse në shumë veprimtari operistike, koncerte e aktivitete artistike.
Kush ju ka mbështetur dhe inkurajuar veçanërisht, në rrugëtimin tuaj artistik?
Dëshira e prindërve për të qenë një artiste lirike ka qenë frymëzimi im më i madh. Janë ata që vazhdojnë të më mbështesin në çdo moment të karrierës sime artistike. Ndaj dua t’i bëj krenarë! Një meritë të veçantë kanë dhe pedagoget e nderuara Prof. Hamide Stringa dhe Roza Borshi, të cilat ngjizën bazat e edukimit tim në kanto dhe kultivuan tek unë, vullnetin e dashurinë për artin duke më bërë profesionalisht kjo që jam sot.
Cili ka qenë debutimi juaj më emocionues?
Çdo debutim lë gjurmë të pashlyeshme në jetën artistike të çdo artisti, sepse secili ka veçantinë e vet. Bashkëpunimet dhe pjesëmarrjet në koncerte si soprano, krahas artistëve të mirënjohur lirikë janë eksperienca të pazëvendësueshme që çdokush do t’i dëshironte, por recitali im pas diplomimit në teatrin "Aleksandër Moisiu" më ka dhuruar emocione të paharrueshme. Ishte fryt i një pune shumëvjeçare, që u mirëprit dhe u shoqërua nga duartrokitjet, ovacionet dhe komentet pozitive të dashamirësve të artit. Ai recital më inkurajoi dhe motivoi jashtëzakonisht shumë.
Ç’ ju është dashur të sakrifikoni për këtë karrierë?
Arti, përveç talentit kërkon shumë mund,vullnet, disiplinë në mënyrë që të finalizosh synimin tënd dhe të përqafosh ëndrrën që është rritur dita-ditës, bashkë me ty. Prandaj, çdo moment privimi për t’iu përkushtuar artit nuk do ta quaja sakrificë, por domosdoshmëri që të shpie drejt profesionalizmit.
A keni ndonjë këngë apo pjesë muzikore me të cilën identifikoheni?
Aria “O mio babbino caro” nga opera “Giani Schicchi” e kompozitorit Giacomo Puccini është pjesa e cila më së tepërmi, spikat nuancat e vokalit tim, aq sa ndonjëherë më duket e krijuar, enkas për mua. Misioni i artistit është ta bëjë publikun të ëndërrojë dhe t’i transmetojë atij emocione të ngrohta.
Çfarë i mungon sipas jush muzikës së sotme lirike?
Mendoj se qasja gjithnjë e në rënie ndaj muzikës klasike në përgjithësi, ndikon në reduktimin e numrit të koncerteve e recitaleve, përkundrejt dëshirës gjithnjë në rritje të artistëve për afirmim, aktivitete cilësore dhe zhvillim profesional.
Kur ngjiteni në skenë ngjani si një Diva magjepsëse. Sipas jush si duhet të jetë një Diva?
(Skuqet) Oh, më duket e tepërt nga ana juaj ! Mendoj se Diva është një soprano ose artiste e jashtëzakonshme, e ndërgjegjshme për talentin dhe aftësitë e saj, por në të njëjtën kohë, e ndërgjegjshme se thjeshtësia dhe modestia në raportet njerëzore janë virtyti më i madh.
A keni ndonjë këshillë apo sugjerim për të rinjtë që duan të studiojnë kanto?
Artistët e rinj i presin shumë sfida, shumë sakrifica, shumë impenjime. Por nuk duhet të tremben nga ky fakt ! Aty ku ekzistojnë talenti dhe vullneti i mirë, asgjë nuk është e pamundur, asnjë vështirësi s’është e pakapërcyeshme, Pasioni për artin, i gërshetuar me punë dhe këmbëngulje janë garancia e vetme drejt suksesit dhe kompletimit profesional.





