TIRANË, 9 shtator 2013 – Edhe pse ende në detyrë derisa zyrtarisht të vijë zëvendësuesja e tij “rozë” Mimi Kodheli, ministri Arben Imami ka bojkotuar ceremoninë e hapjes së vitit të ri akademik në të vetmin institucion arsimor pasuniversitar që kanë forcat e armatosura shqiptare. Ministria e Mbrojtjes njoftoi se të hënën paradite, në sallën e auditoriumit të Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes u zhvillua ceremonia e hapjes së vitit të ri akademik 2013-2014, ku përfshihen kurset r larta të Sigurisë dhe Mbrojtjes, Oficerit, Komandës së Shtabit të Përgjithshëm, ai themelor i Oficerit të Shtabit. Ushtria e nisi vitin arsimor para civilëve, ku ka një përshëndetje të titullarit të Arsimit dhe Shkencës, si dhe pjesëmarrje të tij në një ose disa shkolla të larta. Për më tepër, mungesa e Imamit bie në sy se bëhet fjalë për një institucion arsimor ushtarak mbi atë të zakonshmin. Mësohet se të pranishëm ceremoninë e 9 shtatorit ishin ambasadori i Greqisë, Leonidas Rokanas, atashetë ushtarakë të akredituar në Tiranë, përfaqësues të zyrës së CUBIC dhe ODC, gjeneralë dhe ushtarakë të tjerë të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm, si dhe të ftuar të tjerë. Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneralmajor Xhemal Gjunkshi, i cili nuk nënshkroi tjetërsimin e SHQUP-it (pasi ai nuk “kuptonte”, sipas aktor-regjisorit dhe “gjeneralit” të rebelimit 1997 Arben Imami), u shpreh se ceremonia e hapjes së vitit akademik në Akademinë e Forcave të Armatosura dhe institucionet e tjera të arsimimit ushtarak është një ngjarje e shënuar për të gjithë. Kjo lidhet direkt me një nga prioritetet kryesore që ka të bëjë me arsimimin dhe kualifikimin e personelit me dije dhe informacion bashkëkohor, aq të domosdoshëm në sfidat dhe përgjegjësitë me të cilat përballemi aktualisht dhe në të ardhmen.

Info

Akademia e Forcave të Armatosura përfaqëson nivelin më të lartë të arsimimit dhe kualifikimit në Forcat e Armatosura. Këtu zhvillohen kurset institucionale si Kursi Themelor i Oficerit të Shtabit, Kursi i Komandës dhe Shtabit të Përgjithshëm, Kursi i Lartë i oficerit, si dhe Kursi i Lartë për Sigurinë dhe Mbrojtjen. Zhvillohen gjithashtu dhe programe master profesional, master shkencor dhe doktoraturë në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes. Kursi i Lartë i Sigurisë dhe Mbrojtjes ka filluar për herë të parë si Kolegj i Mbrojtjes, në vitin 1995. Nga viti 2007, Kolegji i Mbrojtjes kthehet në Kurs i Lartë për Sigurinë dhe Mbrojtjen (KLSM) me pjesëmarrje të gjerë të ushtarakëve edhe nga vendet e rajonit. Aktualisht, në këtë kurs marrin pjesë ushtarakë nga Turqia, Rumania, Kroacia, Greqia, Azerbajxhani, Kosova e Maqedonia. Pjesëmarrës të kurseve të mëparshme kanë qenë ushtarakë nga Italia, Mali i Zi, Bosnja Hercegovina, Serbia etj.

 

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/