*Imami Qylasku: Po provokohen ndjenjat e besimtarëve myslimanë të Durrësit. Peticion me firma, që bashkia të tërhiqet nga vendimet!
Në faljen e Namazit të Xhumasë në drekë, imami i xhamisë së madhe të Durrësit Ervin Qylasku, ka bërë thirrje gjatë lutjes, që besimtarët myslimanë të nënshkruajnë një peticion ndaj bashkisë së Durrësit.
Në thirrjen e gjatë të mbajtur për minuta të tëra, imami tha se ndaj besimtarëve myslimanë është duke u treguar mungesë respekti nga ana e bashkisë së qytetit.
“Përpara xhamisë së madhe të qytetit po bëjnë një festival me muzikë, me pije alkoolike dhe ushqime të ndaluara për myslimanët. Festivali të bëhej në një vend tjetër, në shëtitoren “Taulantia”. Fakti që bëhet para xhamisë tregon mungesë ndaj komunitetit më të madh të besimtarëve në Durrës.
Një tjetër çudi e madhe që na ka habitur është hapja në datë 4 shtator e muzeut “Nënë Tereza”. Ne nuk jemi kundër këtij muzeu, as kundër figurës së klerikes së Nënë Terezës. Por jemi kundër hapjes së këtij muzeu në tokë Vakëfi, pranë xhamisë së madhe të Durrësit. Si do t’u dukeshin besimtarëve të feve të ndryshme vendosja e fotografive të hoxhallarëve, imamëve e klerikëve myslimanë përpara derës së kishës? Për këtë ju kërkoj që javën e ardhshme të gjithë besimtarët të paraqiten me kartë identiteti me vete, që të nënshkruajmë peticionin ndaj bashkisë së Durrësit për rishikimin e këtij vendimi”.
K.H.





