TIRANË, 27 maj 2013- Në vijim të turit të takimeve, kryesuesi i zgjedhjeve elektorale të PD në qarkun e Elbasanit, ministri i Mbrojtjes, Arben Imami është ndalur në Sult të Gramshit, ku edhe ka zhvilluar një takim me banorë të kësaj zone, i shoqëruar nga kandidatja për deputete e kësaj zone Irena Taçe. 

Në fjalën e tij, Imami tha se, "në këto tetë vite fshati shqiptar dhe bujqësia ka ecur shumë dhe përparimi ka ndodhur për shkak se ne e kemi pasur në qendër të vëmëndjes sonë si qeveri, bujqësinë dhe zonat rurale". 

“Shqipëria ka shënuar një arritje 33 për qind e prodhimit bujqësor”, tha Imami, duke shtuar se kjo i dedikohet në rradhë të parë punës së fermerëve tanë, por padyshim edhe politikave të qeverisë. Duke prezantuar programin e PD-së për bujqësinë, Imami tha se, “subvencionet në bujqësi do të 3-4 fishohen, do të hapet një program i madh serioz për një infrastrukturë moderne për vaditjen e kullimit në bujqësi dhe do të vijohet edhe me politika të tjera të lehtësimit të barrës fiskale. Të gjitha këto së bashku do ta fuqizojnë bujqësinë shqiptare dhe do të rrisin mirëqenien e prodhuesve dhe fermerëve”. 

Krahas kësaj, shtoi Imami, ne kemi marrë edhe masa të tjera për nxitjen e zhvillimit të vendit, ku e vuri theksin tek investimi i një prej veprave më të mëdha publike, investimi i rreth një milliard euro në kaskadën e Devollit, që sipas Imamit do të rrisë numrin e të punësuarve në më shumë se 5000. 

Gjithashtu, Imami është ndalur edhe në Komunën Lubinjë të rrethit të Gramshit, ku deklaroi se, “programi ynë është një program pune, dhe mendojmë të vazhdojmë edhe më shumë, duke zgjedhur modelin që brenda katër vjeçarit të ardhshëm të mbyllim programin e infrastrukturës në këtë vend”. 

Ai tha se, “ne kemi bërë dhe do të bëjmë çdo përpjekje që zonat rurale dhe bujqësia të jenë në fokusin e qeverisë edhe në katër vjeçarin e ardhshëm".