9 dhjetor 2013 – Deputeti i Partisë Demokratike Arben Imami, ka reaguar menjëherë pas deklaratës së ministres së Mbrojtjes Mimi Kodheli, duke theksuar se  akuzat janë të pavërteta dhe se ai ishte përcaktuar si armik i kreut të PS-së prej dy vitesh.

"Akti i sotëm i Mimi Kodhelit nga zyra e Kryeministrit dhe për llogarinë e tij, përfaqëson një akt primitiv hakmarrës personal, siç e kam thënë prej 2 vitesh. Sigurisht ky është edhe plotësimi i kushtit për marrjen e detyrës së Ministres së Mbrojtjes, nga zonja në fjalë, e cila nuk ka asnjë bilanc. Zoti Rama dështoi në të gjitha akuzat e ngritura në 2 vite, për përgjime, armë të dërguara Gedafit, pronat e ushtrisë, emërime të paligjshme e të tjera si këto.

Të gjitha akuzat ranë, e vetmja gjë që nuk ra dhe nuk mund të bjerë është vendimi i një njeriu të çmendur, për t’i shkuar deri në fund hakmarrjes personale, për deklaratat e mia publike për 21 Janarin. Të dy këta persona, ish drejtues të institucionit më të korruptuar të shtetit shqiptar në këto 23 vite, pra Bashkisë së Tiranës kur e drejtonin atë, kanë qënë të detyruar të pranojnë se reformat në ushtri kanë qenë të suksesshme.

Qytetarët shqiptarë duhet ta dinë se në Ministrinë e Mbrojtjes nuk ka asnjë abuzim me ligjin dhe paratë e tyre. Por ishte përcaktuar prej dy vitesh “armiku” i kryetarit të Partisë Socialiste, e pas kësaj u bënë përpjekje për të montuar një akuzë false, duke akuzuar një institucion model për abuzim me tendera, prej të cilave jam i sigurt se nuk do të dalë absolutisht asgjë. I drejtohem zotit Rama; Po kapërcen vijën e kuqe ligjore, etike dhe politike. Kërcënimet e tua nuk trembin askënd, aq më pak mua", u shpreh Imami.