TIRANE, 30 mars 2013- Kryetari i Grupit të Punës të Partisë Demokratike për Qarkun e Elbasanit, Arben Imami, zhvilloi disa takime ne komunat e Librazhdit si Stërblevë, Lunik, Zdrajsh, etj. Gjatë takimit me banorët e Stërblevës, Imami tha se “kurrë nuk ishte menduar të bëheshin vepra kaq madhore në një afat kaq të shkurtër kohorë. Të gjitha shifrat kanë ecur përpara, sikurse e tha edhe Kryeministri në parlament, kemi bërë 10 mijë km rrugë, kemi për të bërë edhe 3 mijë të tjera, ky nuk është një problem për ne”. Për mua, tha ai, është e qartë situata, gjithë qarku i Elbasanit me 30 milionë euro kompletohet me rrugë.

Ne në mandatin e parë realizuam rrugën e kombit, mandatin e dytë, rrugën e Elbasanit. Ne ecim me hapa të sigurtë, sepse me këtë politikë ekonomike që kemi ndjekur, me këto investime po mbyllet i gjithë programi urbanistik i rrugëve dhe tre mijë km rrugë fshati. Imami tha se “besoj se shumica e njerëzve e kuptojnë se ka pasur një ndryshim të madh këto vite. Sipas të gjitha sondazheve, Partia Demokratike është partia që kryeson sot në vend me mbështetjen më të gjerë nga qytetarët shqiptarë, por kjo s’do të thotë se nuk kemi probleme. Ajo çka mund të them është se në vitin 2005 në qarkun e Elbasanit nuk ka pasur asnjë km rrugë të asfaltuar në fshat.

Sot janë me qindra, janë bërë 40 shkolla, kanë ngelur edhe 30, të cilat do të bëhen patjetër, qendrat shëndetësore, ujësjellësa, por ne e kemi treguar se dimë t’i bëjmë”.  Jam i sigurt, cilësoi Imami, se qarku i Elbasanit do të jetë një qark fitues për Partinë Demokratike, ashtu siç jam i sigurt për të gjithë punën që po bën partia dhe qeveria për këto zgjedhje, ndaj do të jetë një fitore më e mirë, më e thellë se ajo e vitit 2005 dhe 2009.