E shtuna është dita e fundit e agjërimit për besimtarët myslimanë në mbarë botën. Pas një agjërimit të muajit të Ramazanit, besimtarët do të kremtojnë ditën e diel festën e Fiter Bajramit, një nga datat më të rëndësishme të kalendarit islamik.

Në Durrës, falja e Bajramit do të kryhet ashtu si çdo vit tjetër në ambientet e brendshme dhe të jashtme të xhamisë së qytetit, në orën 07.30, me orën e re, pasi besmtarët nuk duhet të harrojnë që në orët e para të së dielës ndërrohet ora.

Në një prononcim për “DurrësLajm”, imami i kësaj xhamie, Ervin Qylafku thotë se “shpresojmë që të na ndihmojë Zoti dhe të mos ketë reshje shiu gjatë orarit të faljes, pasi besimtarët do ta kenë shumë të vështirë nëse do të ketë shi, sepse hapësira brenda është shumë e kufizuar dhe do të ketë dyndje të madhe besimtarësh”.

Por çfarë simbolizon kjo festë mjaft e rëndësishme për besimtarët?

“Fiter Bajrami simbolizon rikthimin në normalitet, pasi agjëruesit rikthehen në programin ushqimor që ndiqnin para nisjes së agjërimit. Është një lloj stacioni, pasi pas një aktiviteti të gjatë shpirtëror merr pak pushim dhe i rikthehemi përsëri ciklit të jetës, derisa të përfundojmë tek stacioni i përhershëm, që është në botën e përtejme, ku takojmë Zotin dhe njihemi me shpërblimet që ka ofruar për besimtarët për impenjimin që kanë bërë gjatë këtij muaji”,- shprehet Qylafku.

M.B.