Imamit të Xhamisë te ‘Rruga e Kavajës’, Ahmed Kalaja, i është ndaluar hyrja në Maqedoninë e Veriut me argumentin se konsiderohet rrezik për sigurinë kombëtare.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Imami ka publikuar dokumentacionin që i është dorëzuar nga policia në pikën kufitare të Qafë Thanës në rrjete sociale.
“Paraqet kërcënim për rendin publik, sigurinë kombëtare, shëndetin publik ose marrëdhëniet ndërkombëtare të Maqedonisë së Veriut”, thuhet mes tjerash në dokumentin që policia i ka dhënë Hoxhës.
Sipas tij, çdo dokument e ka pasur të rregullt, teksa më tej thotë se për të shkuar në Maqedoni kishte dhe ftesë zyrtare për të cilën ishte njoftuar çdo institucion.
Ndërkohë, ai kërkon që institucionet e Islamit në dy shtetet, Avokati i Popullit dhe Ministria e Jashtme, të reagojnë.
“Open Ballkan; Ballkani i Hapur sa e bukur për të qenë e vertetë; që një ditë të kalonim kufijtë pa pengesa.
Kam udhëtuar kudo në Evropë edhe Britani edhe asnjë pengesë.
Mirëpo politikat shoviniste të Shtetit të Maqedonisë se Veriut ndaj shqipëtarëve nuk kanë të sosur.
Pavarësisht se isha i ftuar zyrtarisht edhe të gjitha institucionet ishin në dijeni.
Arsyeja e ndalimit shprehet në letër; e normalisht nuk ke ku të ankohesh vetëm se te Zoti; që tjua japë hakun atyre ndaj kësaj sjellje të papreçedentë arrogante monstruoze.
Ndoshta Insitucionet e përfaqsimit të Islamit në dy shtetet, avokati i popullit, ministria e jashtme, shteti do të reagojnë.
Ndjesë besimtarëve edhe qytetarëve të Shkupit ndaj politikave monstruoze të atyre që i udhëheqin.
Agjërim të pranuar e mos i harroni nga duatë ata po edhe ne që me zemër të përmalluar u nisa për të ju e nuk erdha dot”, shkruan ai.