Tiranë, 21 korrik 2014 – Partia Demokratike çoi në Gjykatën Kushtetuese urdhrin e qeverisë për të marrë IMEI-n e aparatit celular të çdo qytetari. Ai është numri unik 15-shifror, që shërben për të identifikuar aparatet celularë.

Ish- ministri i Drejtësisë Eduart Halimi, ne nje postim ne Facebook thotë se ky urdhër i qeverisë Rama është cenim i privatësisë, pasi marrja e tij do të thotë të kesh akses të pakufizuar mbi gjithçka private që ndodhet në aparatin celular të një individi: vendndodhjen e tij, mesazhet në të gjitha variantet e sotme të komunikimit, bisedat dhe thirrjet telefonike.  

“Dorëzuam ne Gjykate Kushtetuese padinë ndaj kryeministrit Rama që ka urdhëruar të gjithë kompanitë ti dorëzojnë IMEI e çdo abonenti në Shqipëri. Disponimi i numrit IMEI siguron akses të pakufizuar lidhur me vendndodhjen e individit, sms, bisedat dhe thirrjet telefonike, viber, facebook, ëhatsapp, bbm, numër telefoni të regjistruar, foto, pra gjithçka private që ndodhet në aparatin celular të një individi.”– thuhet në reagimin e Halimit. 

Sipas PD, ky urdhër përgjimi i Ramës, cenon 5 nene të Kushtetutës dhe Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut, është antieuropian e provon tendencën oligarkike të Kryeministrit. 

“Urdhri i Ramës është antikushtetues, pasi cënimi i të drejtës për jetë private dhe të drejtës për mbrojtjen e të dhënave personale, jashtë çdo standardi kushtetues për kufizimin e të drejtave të njeriut, cënon nenet 4, 17, 35, 36, dhe 118 të Kushtetutës, nenin 8 të KEDNJ-së, si dhe jurisprudencën e konsoliduar të Gjykatës Kushtetutese, Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut dhe Gjykatës Europiane të Drejtësisë. Ky urdhër do duhej të pezullohej sa më parë nga Gjykata në mënyrë që të mos sjellë pasoja të paripariueshme për funksionimin normal të shtetit të së drejtës si dhe të drejtave dhe lirive themelore të individëve.”– përfundon reagimin e tij Eduard Halimi. 

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/