Me dhjetëra fëmijë të shkollave 9-vjeçare të qytetit u bënë bashkë në shfaqjen e studios së baletit klasik dhe modern, në Qendrën Kulturore “Aleksandër Moisiu” në Durrës.

Në kuadër të festave të fundvitit, nxënësit e studios “Impact Dance Compay” dhuruan për prindërit dhe mësuesit e tyre, por edhe artdashësit durrsak një shfaqje surprizuese, të kombinuar mes numrave të baletit klasik dhe atij modern.

Një rëndësi e veçantë i ishte kushtuar nga koreografët Ari Metani dhe Xhulia Kodra edhe kostumografisë, duke sjellë kështu me çdo numër baleti një performancë të realizuar bukur artistikisht.

Shfaqja “Impact Dancers Show” u mirëprit nga të pranishmit në sallë, ndërkohë vogëlushët dhuruan për rreth një orë një spektakël të vërtetë në skenë.

“Impact Dance Company” ka qëllim të saj promovimin e talenteve të qytetit dhe synon të bëjë krenarë prindërit, që mbështesin fëmijët në prirjet e tyre.