Për të tretën ditë radhazi Impianti i Trajtimit të Ujërave të Ndotura të Durrësit (ITUN) është jashtë funksionit. Ndotja shumë e lartë mjedisore e konstatuar mëngjesin e ditës së mërkurë ndërpreu punën e impiantit, ndërkohë që rreth 28 mijë metër kub ujëra të papërpunuara derdhen fillimisht në kanalin e ujërave të larta, për të përfunduar më pas në det.
Në një prononcim për mediat, drejtori I ITUN, Olsi Graceni, deklaroi se puna në impiant vazhdon të jetë e pezulluar deri në momentin e daljes së përgjigjes së analizave nga laboratorët e specializuar.
“Aktualisht impianti është i pezulluar deri në zbardhjen e analizave nga laboratorët, pastaj rifillojmë me procesin në vazhdimësi. Impianti ka problematikat e veta, për rivënjen në punë se për një periudhë të gjatë kohe mosfunksionimi impiantit sjellë problematika në aktivizimin biologjik të impiantit, por ndërkohë edhe mostrajtimi i ujërave të ndotura të qytetit të Durrësit në impiant sjellë problematikat e veta.”, tha Graceni.
Aktualisht nuk ka një preventiv të saktë të dëmeve të shkaktuara në impiant dhe sa do të jetë kosto financiare për riparimin e tij.
Ndërkohë të gjitha instatancatshtetërore si IKMT, Agjencia Kombëtare e Mjedisit dhe Policia e Shtetit janë duke kryer hetimet e nevojshme për këtë ngjarje, për të zbuluar autorin/ët e kësaj ndotjeje me bazë hidrokarbure. Deri më tani mësohet se nuk janë identifikuar përgjegjësit.
Por a mund të parandalohej një ndotje e të tilla përmasave, pasi siç e pranon edhe Shoqëria Rajonale Ujësjellës Kanalizime Durrës në të kaluarën ka pasur ndotje mjedisore, por jo e këtyre përmasave?
“Duhet një kontroll më i fortë, si nga ana jonë por edhe nga inspektoriatet përkatëse, sepse vazhdimisht tentojnë të derdhin diçka, mos të shkojë të paguajnë apo të shkojnë drejt landfilleve përkatëse apo pritësve të këtyre substancave.”, u shpreh Graceni.
Nga hetimet e deritanishme rezulton se sasia e mbetjeve me bazë hidrokarbure është hedhur në kanalizimet e zonës së Plazhit pranë stacionit të pompimit nr 6 dhe më pas ka ardhur në stacionin fundor nr 9 dhe që andej në impiantin e Shënavlashit.
M.B.





