Administratori i një kompanie është shpallur në kërkim pasi importoi fileto pule me përmbajtje bakterin salmonela. Sipas njoftimit të policisë, janë proceduar penalisht edhe tre inspektorë të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU) për shpërdorim detyre, pasi kanë lejuar futjen në treg të produkteve të rrezikshme.

Shtetasit A. G., 50 vjeç, administratori i kompanisë, dhe M. G., 53 vjeç, vëllai i tij, akuzohen për veprën penale “Importimi, prodhimi, shitja dhe ruajtja e ushqimeve të rrezikshme për shëndetin ose jetën e njerëzve”. Po ashtu, tre inspektorët e AKU-së, G. H., 38 vjeç, S. L., 42 vjeçe dhe A. S., 46 vjeç, janë proceduar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Nga hetimet ka rezultuar se A. G. dhe M. G. kanë importuar produkte ushqimore që, sipas analizave të kryera nga institucionet përkatëse, përmbajnë bakterin e salmonelës. Inspektorët e AKU-së, G. H., S. L. dhe A. S., janë përfshirë në futjen në treg të këtyre produkteve pa ndërmarrë veprimet e duhura për të parandaluar rrezikun për shëndetin publik.

Materialet procedurale janë referuar për veprime të mëtejshme në Prokurorinë e Tiranës.